Galiani në Stamboll për Interin, Marota: Po ndihem krenar, jam optimist për Juventusin

Interi do të luajë finalen e madhe të Ligës së Kampioneve në Stamboll pas pak ditësh dhe një tifoz i veçantë i zikaltërve për këtë ndeshjes, është Adriano Galiani.

Vetë Galiani e ka pranuar diçka të tillë gjatë promovimit të autobiografisë ku i pranishëm ishte edhe Bepe Marota. Administratori i deleguar i Interit u pyet në lidhje me këtë vendim të Galianit, teksa u shpreh se ndihet krenar dhe e kënaq ky fakt.

“Jam shumë i lidhur me Galianin dhe fakti që do të jetë në Stamboll, më mbush me krenari dhe kënaqësi. Unë kam qenë shpesh në krah të tij dhe më vjen mirë që po më mbështet. Galiani është një shembull për t’u ndjekur vetëm për vlerat që përfaqëson.

Juventusi? Nuk dua të hyj brenda kësaj teme sepse gjithçka është qartësuar. Është një kapitull që mbyllet dhe duhet të ecim para. Shoh optimizëm, apo nuk është kështu”, u shpreh Marota.