Hënes: Kahn i bëri autogol vetes me Nagelsmanin, askush nuk dinte asgjë

Julian Nagelsman-Bajern Mynih u diktuan në zyrtarizimin e verës së vitit 2021 si “epoka e artë”, marrë në konsideratë suksesin e trefishtë që bavarezët vinin me periudhën e Flikut, si dhe vizionin e treguar prej 35-vjeçarit me Lajpcigun. Megjithatë, ky “profetizim” në më pak se dy vite “bashkëjetesë” u mbyll në mënyrën më të dhimbshme të mundshme, shkarkimin e beftë, me “viktimë” Julian Nagelsmanin.

Shumë analiza të ndryshme janë përfolur në mediat gjermane e jo vetëm, ndonëse versioni zyrtar ende nuk ka dalë në dritë. Uli Hënes, në një prononcim së fundmi për “SZ”, ka hedhur një hipotezë tejet “goditëse” krahas binomit Kahn-Salihmixhiç, aq sa t’i “rrethojë” si shkaktarët e vetëm që çuan në “dëbimin” e ish-teknikut të “demave” nga Mynihu.

DEKLARATA E ULI HËNES- “Askush nuk dinte asgjë rreth shkarkimit të Nagelsmanit te Bajerni. Si Oli dhe Brazo nuk u konsultuan me asnjë pjesëtar të bordit në ekip, madje as me presidentin Hainer. Unë si pjesëtar i bordit u informova shumë vonë. Mjafton të marrim si shembull deklaratën e Hainerit një javë përpara këtij lajmi befasues. Herbert pohoi se Juliani gëzonte mbështetje të plotë nga drejtuesit dhe se detyra e tij nuk ishte aspak në rrezik. Më pas erdhi lajmi tronditës, largimi i ish-trajnerit të kampionëve të Gjermanisë.

Kahn qëndronte shumë larg futbollistëve dhe stafit, dukej sikur jetonte në një botë paralele me skuadrën. Dëshira ime do të ishte që i gjithë ekipi i pjesëtarëve në bord të gjendeshin së bashku. Veprimet e nxitura të çojnë në këtë pikë. Nëse Oliver dhe Hasani janë vërtetë të pezmatuar nga situatat e fundit, çfarë mund të thonë rreth vendimeve individuale në largimin e personin më të rëndësishëm në ekip, trajnerit. Ja pra përse heshtja në raste të caktuara merr më tepër vlerë sesa fjalët e tepërta, pa harrur se çfarë veprimesh ke kryer paraprakisht”, përfundoi me tone të larta Uli Hënes.

Deklarata në fjalë vjen si replikë ndaj ish-shefit në kampin e rekordmenëve. 53-vjeçari pas shpalljes si kampion për të 33- ën herë në histori, shpërtheu në rrjetin social “Twitter”, duke theksuar se bordi nuk e kishte lejuar të udhëtonte me skuadrën në Këln. Uli gjithashtu ka vendosur të rrëfejë version e vet të historisë me qëllim “barazimin” e fajit me manovrat e ulëta që dyshja e mësipërme ndërmori karshi Nagelsmanit, ndërsa Hënes ndau të njëjtën rrugë me “dëbimin” e befasishëm të dy personazheve me detyra të rëndësishme në Mynih përpara javës finale në Bundesligë.