Është vënë në pranga ditën e sotme 53-vjeçari i cili shkaktoi një aksident me vdekje ditën e djeshme në Vlorë. Si pasojë e këtij aksidenti mbeti i vdekur një 73-vjeçar, i cili u përplas nga një mjet tip Ford.Fillimisht drejtuesi i mjetit, një shtetas 53-vjeçar, kishte deklaruar se në timon ishte gruaja e tij. Por pas këqyrjes së pamjeve të kamerave të sigurisë, është pikasur se në drejtimin e mjetit ka qenë ai vetë.Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Vlorë, në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të aksidentit me pasojë vdekjen, të ndodhur ditën e djeshme, në aksin rrugor “Fier-Vlorë”, arrestuan në flagrancë shtetasin M. Gj., 53 vjeç, banues në Vlorë.
Nga këqyrja e pamjeve filmike ka rezultuar se në kohën që është aksidentuar me pasojë vdekjen shtetasi Rr. V., 73 vjeç, automjeti tip “Ford” drejtohej nga shtetasi M. Gj. dhe jo nga bashkëshortja e tij, siç ata deklaruan fillimisht.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.