Dymbëdhjetë minuta zgjati konferenca për shtyp e Kilië Mbapesë para ndeshjes së Francës me Gjibraltarin, një konferencë në të cilën kapiteni i “gjelave” u shfaq fjalëpakë dhe jo me buzëqeshjen e zakonshme. Sigurisht që sulmuesi nuk mundi t’u shpëtonte pyetjeve mbi të ardhmen, të cilave iu përgjigj shkurt dhe qartë.
“A do të qëndroj te PSG-ja? Unë tashmë i jam përgjigjur kësaj pyetjeje. Qëllimi im është të vazhdoj dhe të qëndroj në PSG. Është opsioni im i vetëm për momentin. Jam gati të kthehem kur të rifillojnë stërvitjet”, tha 24-vjeçari, që pavarësisht se kërkoi që pyetjet në vazhdim të fokusoheshin te loja, nuk e shmangu komentin mbi komunikatën e pak ditëve më parë.
“Nuk mendoja se një njoftim i tillë mund të vriste dikë apo të ofendonte. Vetëm komunikova diçka. Unë nuk mund t’i kontrolloj dot reagimet që vijnë pas saj dhe as më intereson për të. A do të ndikojë presidenti Makron në vendimin tim për karrierën? Në asnjë mënyrë. Ai më ka thënë vetëm që dëshiron që unë të qëndroj te PSG-ja, unë dua të njëjtën gjë, kështu që jemi në të njëjtën gjatësi vale”.
Francezi dribloi edhe pyetjen mbi pjesëmarrjen e tij në Lojërat Olimpike në Paris. “Do të ishte një kënaqësi e madhe për mua, por nëse nuk do të mundem do të më vijë keq”, u shpreh Mbape, që për ndikimin që do të kenë të gjithë zërat në kombëtare dhe në karrierën e tij tha:
“Unë jam kapiteni i Francës dhe i di mirë përgjegjësitë e mia. Nuk do të më shpërqendrojë asgjë mua dhe skuadrën dhe nuk kam frikë nga ajo që njerëzit mund të thonë apo të përmbush funksionet që më takojnë”.