Merkato ka rregulla strikte, deri në mo mentin e firmave asgjë nuk është e sigurt. Kjo vlen edhe për Interin, i cili ka nisur të punojë në shumë tavolina të ndryshme, duke parë edhe faktin se nga Anglia kanë mbërritur një thes me miliona. I shumëkërkuari është portieri Andre Onana, për të cilin Çelsi duket në “pole position” me ofertën e tij prej 60 milionë eurosh, një shumë kjo që nuk shpenzohet shumë shpesh për një mbrojtës ekstrem.
Por duke u nisur nga fakti që elozhe për Onanën kanë ardhur edhe nga Pep Guardiola (“portieri më i saktë me këmbë në qarkullim”), duke bërë që edhe Mançester Siti të hyjë në garë për të, kjo do të thotë se ndoshta konkurrenca mund të rrisë edhe më tej vlerën prej 60-milionësh.
Sigurisht që të shesësh është mjaft e lehtë në këtë moment, por problemi më i madh i Interit tani është të gjejë një zëvendësues të denjë të afrikanit. Emri më i pëlqyer në Milano ishte ai i Vikarios së Empolit, por ky ditën e djeshme ka arritur akordin me Totenhemin për 20 milionë euro, kështu që është një mundësi që duket përjashtuar. Tani, lista e zikaltërve vazhdon me dy emra të tjerë.
I pari dhe më i pëlqyeri është Giorgi Mamardashvili, 22-vjeçari që luan në radhët e Valencias. Edhe pse për klubin e tij ishte një sezon i tmerrshëm, duke i shpëtuar vetëm në fund mbijetesës në La Liga, në aspektin personal, gjeorgjiani bëri një paraqitje perfekte dhe jo më kot kërkohet nga disa klube, me të cilëve edhe nga Juventusi.
Ndërkohë, nëse emri i parë ishte një talent me perspektivë, i dyti është një portieri me shumë eksperiencë ndërkombëtare. Ai është Jan Zomer i Bajernit të Mynihut.
Zvicerani, i cili zbarkoi në janar të këtij viti për të zëvendësuar një Manuel Nojer të dëmtuar, nuk duket i gatshëm që të bëjë rezervën, tashmë që titullari i Bajernit dhe i Kombëtares së Gjermanisë është rikuperuar nga dëmtimi dhe pa dyshim që nuk do t’i thoshte jo ofertës së Interit.
Zomer në Milano do të gjente një tjetër veteran, Samir Handanoviç, i cili do të rinovojë edhe për një sezon, duke pranuar që të bëjë numrin dy të portës, përpara se të nisë nga korriku 2024-ës rolin e trajnerit të portierëve tek Interi.