Juventus futet “skiç”, objektivi i Inter dhe Milan kthehet në shënjestrën e bardhezinjve

Alvaro Morata është një nga lojtarët më të kërkuar në Itali për momentin dhe ka një gjë që e vërteton më shumë se të tjerët këtë. Në javët e fundit, Roma, Milani dhe Interi janë përpjekur, në mënyra të ndryshme ta bindin që ai të përqafojë kauzat e tyre përkatëse.

Megjithatë, listës së gjatë të kërkuesve duhet t’i shtohet edhe një emër tjetër; ai i Juventusit. Në fakt, sipas asaj që raportohet nga “Gazzetta dello Sport”, edhe klubi bardhezi është futur në garën që të çon direkt te kartoni i lojtarit iberik.

Juventusi jo vetëm e ka në radar Morata-n, por tashmë ka ndërmarrë hapa konkretë drejt tij. Të martën, menjëherë pas prezantimit të tij zyrtar për shtyp, Cristiano Giuntoli u nis së bashku me drejtorin sportiv Giovanni Manna drejt Milanos për të takuar agjentët e sulmuesit spanjoll.

Një takim që u zhvillua edhe para se shoqëruesit e lojtarit të drejtoheshin në selinë e Interit për të marrë pjesë në një takim me Marotta dhe Ausilio. Kushdo që dëshiron të marrë Morata, jo vetëm që duhet të përballet me konkurrencë të konsiderueshme, por duhet të merret edhe me kërkesat e Atletico Madridit.

 

 

Klubi iberik nuk ka ndërmend të negociojë dhe kërkon që të aktivizohet klauzola e lirimit. Ndaj për të blerë kartonin e sulmuesit duhen 21 milionë euro ‘cash’, shifër kjo shumë e lartë për klubet italiane. Interi ka shkuar tashmë deri në 15 milionë euro, por nuk është marrë parasysh.