Pothuaj të gjithë këngëtarët e ftuar në “Pushime on Top” këtë vit janë ndeshur me të njëjtën pyetje: A do të bëje një bashkëpunim me Luiz Ejllin? Këngëtari nga Shkodra, pas fitores së BBV2, është rikthyer vrullshëm në muzikë; me projekte të reja, me koncerte, por edhe në kinema, sapo ka mbyllur xhirimet e filmit “Në kuadër të dashurisë”.
Megjithatë, ka edhe këngëtarë që duan të bashkëpunojnë me Luizin në këtë fazë të famës së tij, ashtu sikundër edhe të tjerë që nuk ndikohen nga kjo zhurmë, por mund të bashkëpunojnë për qejf, në një moment tjetër.
E tillë është Aurela Gaçe, e cila së njëjtës pyetje i është përgjigjur me pyetje: “Po pse nuk pyet Luizin ti, po më pyet mua?” – thotë me të qeshur, duke shtuar se i vjen shumë mirë që Luizi e ka ndër këngëtaret e tij të preferuara: “Luizi, kur ka qenë në Big Brother, më ka përmendur si një nga artistet e preferuara. Kjo është një gjë e mirë që një brez më i ri të do, të këndon. Por ai tani e ka arritur atë që gjithkush do donte të merrte nga ai format dhe është duke e shijuar. Njerëzit e duan, kështu që si me Aurelën, si pa Aurelën, ai e ka arritur atë që priste…”
Por Aurela është e bindur se “bashkëpunimet më të bukura vijnë jo në momentin kur ti je “on top”. Bashkëpunimet më të mira vijnë kur ti i arritur gjërat e tua dhe e bën për qejf pastaj”.
Ama, Luizit i dërgon një mesazh të drejtpërdrejtë: “Luiz, pasi të ketë mbaruar ky momenti “uaaauuu”, pas shumë vitesh, këtu jam unë…” – thotë me të qeshur këngëtarja.