Interi i pagoi 6 milionë euro Bajern Mynihut për të siguruar shërbimet e tij dhe Jan Zomer ka mbërritur dje në Milani, aty ku do të kryejë sot në mesditë vizitat mjekësore për të firmosur më pas kontratën që do ta mbajë lidhur me ngjyrat zikaltër deri në 2025-ën. Me pagën ende për t’u zbuluar, 34-vjeçari do të marrë vendin e lënë bosh nga Andre Onana për t’u bërë kështu zvicerani i 21-të i historisë së Interit.
TRADITA – Tradita e zviceranëve me fanellën zikaltër nis që nga themelimi në 1908-ën e largët. Zvicra është një pjesë e rëndësishme e shpirtit origjinal të klubit, sepse në mesin e themeluesve të tij ishin tetë zviceranë. Të njëjtët ishin edhe pjesë e skuadrës në ndeshjet e para zyrtare, madje pjesë edhe e skuadrës që fitoi kampionatin e parë në vitin e dytë të ekzistencën së klubit. Kishte disa si Ugo Ritman, i cili ishte një industrialist tekstili me profesion që luajtën vetëm një ndeshje dhe pastaj zgjidhën arbitrimin.
Pati edhe emra të rëndësishëm si Hopf, Kapler, Kunmer, Marktl (i cili mbante edhe shiritin e kapitenit), Shuler, Niderman dhe Volkel. Në vitet në vijim, mes Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore fanellën zikaltër e veshën Xhorxho Muxhani, piktor me profesion, tre vëllezërit Hinterman dhe Martineli, ndërkohë që pas Luftës së Dytë, sulmuesi Vonlaten shënoi 12 gola në 42 paraqitjet e shpërndara në dy sezone (1957-1959), para se të bëhej trajner i kombëtares zvicerane nga viti 1977 deri në 1979. Por pas atij blloku, asnjë zviceran nuk arriti të ngrinte trofe në Milano.
SFORCA DHE SHAQIRI – As dy të fundit në rend kronologjik nuk patën sukses. I pari është Çiriako Sforca, të cilin presidenti i atëhershëm Morati e solli në Milano pas një Europiani të shkëlqyer. E nisi me dy gola fantastikë, por u pasua nga një errësirë totale që solli shitjen pas vetëm një sezoni. Në një mesfushë ku dominonte talenti i Xhorkaef dhe personaliteti i Inc, Sforca nuk arriti të lërë gjurmë. E njëjta gjë vlen edhe për zviceranin e fundit zikaltër para Zomerit, Xherdan Shaqirin. Mesfushori i cili zbarkoi në Apiano në janar 2015 për të rritur potencialin sulmues në dispozicion të Mançinit u largua vetëm gjashtë muaj më vonë. Krahas muskujve të Shaqirit, ai kujtohet për një gol dhe një asist në fitoren 4-1 ndaj Atalantës. Pak ose aspak në pjesën tjetër, me Interin që shpreson që muzika për Zomerin të jetë tërësisht e ndryshme.