Real Madrid nuk heq dorë nga Mbape, drejtuesit bëhen gati për tentativën e fundit

Real Madrid nuk është dorëzuar për Kilian Mbapen, teksa po përgatitet të vendosë në “jetë” një plan për ta transferuar në kryeqytetin spanjoll.

Sipas “The Mirror”, drejtuesit e klubit do të tentojnë të bindin PSG-së me një ofertë prej 120 milionë eurosh. Një shifër që as nuk i afrohet pretendimeve të francezëve, që nga ana e tyre e kanë bërë të qartë se për shërbimet e sulmuesit nuk pranojnë më pak se 250 milionë euro.

Megjithatë, Reali do të bëjë presion me faktin se nëse parizienët refuzojnë edhe ofertën e minutave të fundit të merkatos aktuale, atëherë do ta transferojnë sulmuesin në sezonin e ardhshëm me parametër zero.

Te Reali besojnë se duke mos pasur shumë alternativa, PSG do të dorëzohet dhe do ta lejojë futbollistin të nisë aventurën tek “Los Blancos”

Spanjollët janë të bindur se 24-vjeçari nuk do të rinovojë kontratën me PSG-në dhe në këtë formë mund të evitojnë shpenzimet madhore.