EMRI/ Kush është “mafiozi” i “Sacra Corona Unita” që u arrestua dje në Tiranë, prej 5 vitesh fshihej në Shqipëri

Një 43-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar u arrestua pasditen e djeshme në Tiranë nga Polcia.

Sipas uniformave blu, bëhej fjalë për një person të dënuar nga Gjykata italiane për trafik droge, ndërkohë që ishte në arrati prej më shumë se 5 vjetëve.Ortis Banda ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, por në fakt, emri i tij rezulton i listuar prej vitesh si njëri prej anëtarëve të një grupi kriminal që bashkëpunon me organizatën mafioze të “Sacra Corona Unita”. Ndaj tij është dhënë një vendim në marsin e vitit 2018, ndërkohë që në bankën e të akuzuarve me të ishin edhe disa shqiptarë të tjerë.Në bazë të vendimit të Gjykatës së Leçes në Itali, Banda ishte dënuar me 5 vjet, 10 muaj e 16 ditë burgim, për “Trafikim droge”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Kodi Penal italian.Në vitin 2012, shtetasi Ortis Banda ka trafikuar një sasi kokaine, në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, njëri prej të cilëve u kap në flagrancë në qytetin e Maniagos, me sasinë e kokainës.

Shtatë trafikantë shqiptarë, që bashkëpunonin me klanin mafioz “Sacra Corona Unita” në Itali për drogën, janë dënuar nga drejtësia italiane. Ata u arrestuan gjatë operacionit të koduar “Federiko II” në dhjetor të vitit 2016, ndërsa më parë ishin zhvilluar edhe dy operacione të suksesshme “Augusta” e “Netuork”. Hetimi nisi nga agjentët e DIA-s dhe u ndoq nga zëvendës prokurori i atëhershëm i antimafias, Guglielmo Cataldi.

Kristaq Boçi, nga Vlora, (i njohur edhe si Arben Meça) ishte koka e organizatës që ishte në gjendje të transportonte nga Shqipëria në Salento të Italisë, sasi të mëdha marijuane dhe heroine, që shitej më pas në doza të vogla në vendin fqinjë (vitit 2016). Më parë, në korrik të vitit 2013, Boçi u kap bashkë me disa shqiptarë të tjerë, me 3.5 kg heroinë në një makinë me targa shqiptare. Boçi, gjatë dërgimit për në polici, edhe pse shoqërohej nga tre oficerë dhe duart i kishte të lidhura, arriti të arratisej. Ai kapërceu një mur dhe më pas humbi gjurmët edhe pse policia qëlloi dy herë në ajër. Por, një ditë më pas, vlonjati u arrestua sërish.Sacra Corona Unita është organizatë kriminale vepron në Puglia dhe në rrethinat e saj. Kjo organizatë është themeluar nga Giuseppe Rogoli në burgun e Barit në natën Krishtlindjeve të vitit 1981. Rangoli ka qenë anëtar i organizatës tjetër kriminale, “Ndrageta”, dhe i kërkon leje kapos të bandës së tij për të formuar një tjetër organizatë. “Sacra Corona Unita” përbëhet nga 7 organizata dhe 47 familje dhe me rreth 1755 anëtare kryesisht në provincën e Brindizit dhe Leçes. Është një organizim i ri në krahasim me organizimet e mëparshme të mafies për sa i përket territorit dhe aferave por aktualisht paraqitet dhe vepron me vendosmëri dhe egërsi të dukshme. E veçanta e kësaj mafieje është përdorimi i të miturve dhe lidhja e ngushtë me segmente shqiptarësh edhe për shkak të afërsisë gjeografike.