ZYRTARE/ Një tjetër shqiptar largohet nga Premier Liga, sulmuesi firmos në Belgjikë

Andi Zeqiri është larguar përfundimisht nga Brajtoni dhe ka firmosur në kampionatin belg me skuadrën e Genk. Pas një sezoni huazim te Bazeli në Zvicër, Zeqiri u rikthye në Angli por klubi anglez nuk e ka mbajtur duke e shitur përfundimisht në Belgjikë.

Vetë klubet e kanë zyrtarizuar transferimin e futbollistit, i cili në fakt nuk ka arritur të lërë gjurmë në kampionatin anglez. Sulmuesi 24-vjeçar ka luajtur 13 ndeshje me skuadrën e Brajtonit, duke shënuar vetëm një gol, teksa në arenën ndërkombëtare, ai luan me fanellën e Zvicrës.

Drejtori teknik i Brajtonit e ka vlerësuar sulmuesin, duke u shprehur se për të është momenti që të luajë diku tjetër rregullisht. “Zeqiri ka bërë progres me klubin e Bazelit dhe tani është gati që të luajë rregullisht diku tjetër. Kjo është një mundësi e mirë për Andin dhe i urojmë më të mirat në të ardhmen”, u shpreh drejtori David Veir.