Vendim i befasishëm nga portieri shqiptar i Zvicrës, tërhiqet nga futbolli në moshën 23-vjeçare

Futbollistët shqiptarë që luajnë në kampionatin zviceran, janë të shumtë dhe një ndër to është, ose më saktë ishte, Jozef Pukaj. Portieri 23-vjeçar ka vendosur të ndërpresë karrierën e tij, duke u tërhequr nga futbolli i luajtur edhe pse në një moshë shumë të re.

Portieri nga Kosova, ka pasur një vit të vështirë me disa dëmtime të njëpasnjëshme dhe vendosi t’i jepte fund karrierës ende pa e nisur mirë. Lajmi u bë i ditur nga vetë klubi i Vinterturit, skuadër me të cilën ai aktvizohej së fundmi. Pukaj ka luajtur edhe me moshat e Zvicrës.

“Pas një shqyrtimi të kujdesshëm, Jozef Pukaj ka vendosur të ndërpresë menjëherë futbollin profesionist dhe të riorientohet profesionalisht. Për këtë arsye, FCË dhe portieri 23-vjeçar kanë ndërprerë kontratën me marrëveshje të përbashkët.

Me keqardhje, por edhe mirëkuptim, FC Winterthur ka vënë në dukje dëshirën e Jozef Pukajt për t’u larguar nga futbolli i nivelit të lartë. Portieri 23-vjeçar erdhi në Winterthur nga FC Basel në verën e vitit 2021 dhe që atëherë ka bërë dhjetë paraqitje me FCË në Challenge League, Super League dhe Kupën e Zvicrës”, shkruan klubi mes të tjerash.