Dhjetë ditët e ardhs hme do të japin përgjigje për më shumë se një pyetje: a do të mundet Milani të qëndrojë në krye të renditjes? Dhe a do të ketë forca në Champions për të rivendosur ekuilibrin e grupit me një fitore në Dortmund? Rezultatet do të flasin.
Por pa thënë gjithçka. Për shembull: a do të jetë skuadra në gjendje të shtojë sulmues rezervë në listën e golashënuesve? Dhe së fundi, a do të dhurojnë ndonjë gjë të re Adli ose Çukvueze?
Nëse do të ndodhë kështu, Pioli do të ketë zgjeruar grupin e titullarëve, duke kapërcyer një hendek midis zgjedhjeve të para dhe linjave të dyta, që ende vazhdon të ekzistojë. Sidoqoftë, le t’i marrim me radhë.
FRANCEZI-Në sezonin e tij të dytë për kuqezinjtë, Jasin Adli ka luajtur vetëm 140 minuta si kuqezi: ndeshja e tij e vetme si titullar në Verona, tetorin e kaluar, u zëvendësua pas një ore pa lënë asnjë kujtim.
Që atëherë 7 minuta kundër Fiorentinës, 19′ në La Specia, teksa sivjet është ende në kuotën 0. Drejtuesit e vjetër të Milanit e kishin paguar 10 milionë euro, teksa në parasezonin 2022 ai ishte ndër më të mirët, me tifozët milanistë që besonin se kishin një fantazist të talentuar, por ai nuk i përmbushi pritjet.
Këtë verë Pioli e provoi në një rol të ri: jo më si 10, por si regjisor, një rrugë e stilit “Pirlo”. Me dëmtimin e Kruniçit dhe Benaser ende në dhomën e fizioterapistëve, francezi është qendërmesfushori tjetër në mesfushën me tre lojtarë, ndaj nesër mund të ketë një shans të ri.
ANËSORI – Ka vend edhe për Samu Çukvuezen. Goditja më e shtrenjtë e verës duhet të justifikojë shpenzimet: 20 milionë plus 8 bonuse. Nigeriani ka luajtur si titullar vetëm në Champions, pa gjurmë të mëdha në krahun e djathtë. Në kampionat ka bërë katër paraqitje si zëvendësues, por në shumicën e rasteve është futur kur skuadra e kishte vendosur ndeshjen në binarët e duhur. Ai ka për detyrë të zëvendësojë Pulisiçin, të pamësuar me një vazhdimësi të tillë përdorimi, por edhe Leaon.
Energjitë e Rafas duhet të menaxhohen dhe Samu është anësori tjetër i shpejtë dhe i aftë në duele një kundër një. Detyra nuk është t’i bësh titullarët të paprekshëm, por t’i zëvendësojë pa e vënë re askush.
SULMI- Noah Okafor është një rrugë e ndërmjetme, tani për tani. Për të realizuar potencialin e tij te kuqezinjtë, ai duhet të përfitojë nga mundësitë që do të shfaqen së shpejti, pasi ka karakteristika të ndryshme nga sulmuesit e tjerë në skuadër dhe gjithashtu të ndryshëm nga anësorët e tjerë. Është pak nga të gjitha, kështu që mund të vlerësohet në qendër të zonës ose gjerë. Ai bindi Maldinin dhe Milanin e Masarës me një gol si kundërshtar, teksa drejtuesit e rinj e morën në verë për 14 milionë. Ai shfaqet mes të përdorurve në të pesë ndeshjet e kampionatit, por në total vetëm 77 minuta..
Së shpejti ai do të debutojë si titullar pasi Leao nuk mund të jetë gjithmonë në fushë. Luka Joviç është alternativa e vërtetë ndaj Giroud. Është e arsyeshme të pritet që serbi të startojë në Kaljari, pasi stafeta e fundit (serbi për francezin pas 25 minutash të pjesës së dytë) është një e dhënë.
Zhiru, më i vjetri nga katër lojtarët kuqezi, që janë gjithmonë të pranishëm nga fillimi (Çau, Leao dhe Kruniç të tjerët), meriton pak pushim. “Pyka” e ardhur nga Fiorentina nuk ka lënë ende gjurmë, por shumë shpejt do t’i kërkohet ta bëjë.