Interi arriti një fitore bindëse në “Diego Armando Maradona” kundër kampionëve të Napolit me rezultatin 0-3. “Panorama Sport” sjell notat dhe vlerësimet e lojtarëve zikaltër që u aktivizuan në këtë sfidë.
ZOMER 7.5 – Lojtari i ndeshjes. Në 19 minutat e para ndalon dy herë Elmazin, e shpëton traversa ndaj Politanos, por kryeveprën e bën ndaj Kvaratskhelias dhe të gjitha këto kur rezultati ishte 0-0. Shpirti i këtij Interi!
DARMIAN 6.5 – I bëhet hije Kvaratskhelias dhe kur duhet e shtrin edhe me forcë. Zgjuarsi totale! Në të 86-ën Bisek (pa notë).
DE VRIJ (PA NOTË) – Ndjek Osimhenin në çdo cep për 18 minuta, përpara se dëmtimi ta tradhtojë. Në të 18-ën Augusto (nota 6.5), i cili edhe pse është një mbrojtës krahu tregon eksperiencë edhe në qendër dhe Inzagi zbulon një alternativë për të ardhmen.
AÇERBI 6.5 – Frenon në çdo mënyrë Osimhenin në pjesën e parë, por në të dytën, notën ia shpëton arbitri Masa dhe VAR-i, që nuk i japin penallti kundër. I puthur nga fati!
DUMFRIS 6 – Inzagi i tërheq veshin shpesh herë, pasi nuk ndihmon aspak në mbrojtje nga Kvaratskhelias. Në të 77-ën Kuadrado (nota 6.5), i cili është menjëherë shpërthyes, as sa ofron edhe asistin për golin e tretë të Turamit.
BARELA 7.5 – Më në fund në nivelet e tij stratosferike. Jo vetëm udhëheq mesfushën, por synon portën rivale, madje ul topin për predhën e Çalhanoglusë, por shënon edhe golin e 2-0 që mbyll ndeshjen. Lojtar i kompletuar!
ÇALHANOGLU 7 – I pasigurt në pjesën e parë, ndonëse e shpëton paraqitjen e tij me një bombë që tregon të gjithë dëshirën e Interit për t’u shpallur kampion. Goli e zhbllokon dhe në pjesën e dytë ishte thjesht magjik, duke shpërndarë lojën dhe shpesh duke i fshehur Napolit topin. I pazëvendësueshëm.
MIKHITARJAN 6 – Luan larg zonës rivale, por lufton në çdo top dhe ndihmon shumë mesfushën, kur në sulm lëshohet Barela. Në të 77-ën Fratezi (pa notë).
DIMARKO 6.5 – Duelon me Di Lorencon, por këtë herë detyrat sulmuesi ia pason Augustos, duke menduar për prapavijën.
LAUTARO 6.5 – Kërkon shpesh kombinimet me Turamin në zona të ngushta. Tenton një gol në akrobaci që Meret e ndal, por ofron edhe asistin për Barelën, me një intuitë prej kampioni.
TURAM 7 – Shënon 2 herë, por nëse në të 12-ën i anulohet, në fund askush nuk mund t’i thotë jo festës personale. Një blerje fantastike. Në të 86-ën Arnautoviç (pa notë).
TRAJNERI INZAGI 7 – Mungesat e Pavarit dhe Bastonit në mbrojtje do t’i ndjente çdo skuadër tjetër, por ai duket qartë se i ka shtuar aq shumë vetëbesim lojtarëve të tij, sa tashmë kjo skuadër nuk i trembet më asgjëje, as dëmtimeve, as kampionëve të Italisë që asfalton.