“Arrestimi nuk mjafton”- Kurti për vrasjen e Liridona Ademajt dhe rrëmbimin e 14-vjeçares në Shkup: Dënimi i butë rrezikon përsëritje të krimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli si dhe për rastin e rrëmbimit e më pas vrasjen e 14-vjeçares në Shkup, ku ishte në dijeni edhe babai i saj.

Nga konferenca “Të bashkuar kundër dhunës – Mjaft!”, Kurti thotë se për raste të tilla, arrestimi nuk mjafton, ndërsa theksoi se “kur dënimet janë të buta dhe kriminelët lirohen, veprat përsëriten”.

“Duhet dënim meritor”, shprehet kryeministri i Kosovës.

Vrasjet e fundit, vrasja e porositur e Liridona Ademajt nga burri i saj dhe kidnapimi dhe vrasja e 14 vjeçare ne Shkup, na ka rënduar mendjet dhe zemrat tona. Porositësit dhe kryerësit e rastit të Liridonës janë zënë e janë vënë prapa grilave. Policia syçelë si kurrë njëherë po vepron shpejt e me efikasitet të lartë.

Por s’po mjafton vetëm arrestimi. Sepse ata po e dinë që ka raste të ngjashme e jo të pakta, kur kriminelët lirohen e veprat po përsëriten edhe më rëndë se herën e parë. Kemi nevoje që krejt sistemi i Drejtësisë t’i bëjë prioritet rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave. Nuk kemi si ta themi që duhet dënim meritor. Butësia e dënimit po shkakton përsëritjen e krimit. Vënia e drejtësisë është kusht i domosdoshëm për një shoqëri të lirë e demokratike e çfarë aspirojmë të mbesim përherë”, ka thënë Kurti.