“Na ka rënë reputacioni, askush s’blen më peshk tek ne”- Çfarë ndodhi në sallën e gjyqit, Fredi Beleri refuzoi të dëshmojë! I infiltruari “zhduket”, i vëllai: Na ofruan azil politik, në këmbim të…

Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës ka dalë ditën e djeshme sërish para Gjykatës së Posaçme. Ai është përballur me dy dëshmi të vëllezërve Rama, që i janë lexuar nga ana e prokurorëve të çështjes.

Ndonëse SPAK ende nuk ka mundur ta gjejë dëshmitarin ta sjellë në seancë, dëshmitë e tyre janë rilexuar si fakte dhe prova kundër Fredi Belerit, fituesit të zgjedhjeve në Bashkinë e Himarës, ndonëse u arrestua një ditë para se të zhvillohej procesi. Po dje, duhej të dëshmonte edhe vetë Beleri, por ky ka refuzuar këtë fakt duke i thënë Gjykatës së nuk e besonte këtë Prokurori për sa kohë ajo është e njëanshme dhe nuk ka pranuar asnjë kërkesë të tyre.

Në fakt, pas përfundimit të seancës, që u shty për datën 19, meqë Beleri ka edhe një seancë tjetër me datë 11, ku do të shqyrtohet kërkesa e tij për t’u betuar, avokati mbrojtës i Belerit ka qenë mjaft i ashpër. Ai akuzoi Prokurorinë që nuk mundet të gjejë dëshmitarin kyç të procesit, i cili, sipas tij rezulton të ketë ikur jashtë Shqipërie që në korrik.

Dëshmitari bashkë me të vëllanë, sipas avokatit janë përdorur nga policia, ndërkohë ka dëgjuar rrëfimin e tyre në sallën e gjyqit, ku peshkatari ka treguar se pas bashkëpunimit me policinë për rastin e blerjes së votave nga Beleri, atij i ka rënë reputacioni në Himarë dhe nuk i blinte më askush peshk.

SEANCA

Kështu kryebashkiaku i votuar i Himarës, Dhionisis Fredi Beleri, refuzoi të pyetej nga prokurorët e SPAK, gjatë seancës kur në proces ishte radha e prokurorisë për marrjen e provave. Beleri e konsideroi SPAK të njëanshëm pasi sipas tij, ka depozituar akte të njëanshme, një version që është kundërshtuar më herët nga Gjykata e Posaçme.

Nën monitorimin e diplomates greke në Tiranë, si gjithnjë, SPAK lexoi dy dëshmi të Avdyl Ramës, një dëshmitar i cili në dy seanca të njëpasnjëshme nuk u gjet nga policia. Për sa kohë ai rezulton të ketë dalë nga Shqipëria, prokurorët treguan rrëfimet e tij nën nën profesionin e peshkatarit duke treguar se e kishte njohur të pandehurin pasi i kishte shitur peshk.

Në atë dëshmi ai pati thënë: “Kemi dhjetë vjet si peshkatarë bashkë me vëllanë, Arsenin”, pati deklaruar para BKH-së, Avdyl Rama në datën 23 qershor.

“Kur Fredi Beleri u arrestua, jeta jonë në Himarë u bë e vështirë dhe e pasigurt. Të gjithë na shanin dhe nuk blinin më peshk te ne. Arseni nuk erdhi më në Himarë. Mes datave 22 maj dhe 23 maj, pasi Fredi Beleri ishte arrestuar, më ndaluan dy persona. Më thanë jemi miqtë e Fredi Belerit, thuaji vëllait të tërheqë dëshminë dhe do të fitoni azil politik”, ka thënë dëshmitari.

Sipas tij, rasti i dytë i kërcënimit është ai kur një i panjohur i ka prerë rrugën me motor dhe e ka ofenduar. Dëshmia e Avdyl Ramës, që është vëllai i dëshmitarit të drejtësisë, Arsen Rama, u kundërshtua nga avokatët e të pandehurve si e pavërtetë. Në kuadër të këtij procesi gjyqësor në ngarkim të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, dje nga ana e SPAK është lexuar dëshmia e Abdyl Ramës, vëllait të infiltruarit të policisë, Arsen Rama.

Ai ka deklaruar se persona të caktuar që janë prezantuar si miq të Belerit, i kanë ofruar azil politik në këmbim të tërheqjes së padisë. Kjo dëshmi është lexuar në seancë, ndërsa Beleri ka refuzuar të dëshmojë, ndërsa ka deklaruar se nuk kishte besim tek Prokuroria pasi ka qenë e njëanshme dhe se ajo nuk ka marrë asnjë kërkesë të tyre.

“Pak ditë pas arrestimit të Belerit më kapën në Himarë dy persona që më kërkuan të tërhiqnin deklarimet e tij dhe të vëllait Arsen Rama. Ata thanë se janë miqtë e Belerit. Nëse do të tërhiqni deklarimet do t’i sigurojmë azil politik për vëllanë në Greqi”, – thuhet në dëshminë e Avdyl Ramës të lexuar në SPAK.