Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur sot në Gjykatën e Tiranës, ku një qytetar ndërroi jetë.
Mësohet se viktima po hetohej për dhunë në familje dhe sot kishte seancën gjyqësore. Avokati i të ndjerit, Ndue Pjetra, , tregoi se prej tre vitesh klienti i tij hetohej për dhunë, por asnjëherë nuk e kishte pranuar akuzën.
“Sot kisha për ta takuar në gjykatë, sepse pas tre vitesh u kujtuan t’i ngrenë akuzë”, u shpreh Pjetra.
I ndjeri, që pësoi atak në stolin e gjykatës, ishte një nga qindra qytetarë që “vuajnë” stokun e dosjeve në Gjykatën e Tiranës, e cila ndodhet përballë ngarkesave të mëdha, pas procesit të Vetting-ut dhe hartës së re gjyqësore.
Sipas informacioneve, një gjyqtar i vetëm në Dhomën Penale të Gjykatës së Tiranës ka firmosur një mijë vendime përgjatë vitit 2023, ndërsa kolegët e tyre të Dhomës civile kanë shqyrtuar deri në 2300 çështje.Ngarkesa mesatare e një gjyqtari në Dhomën Penale në datën 31 dhjetor 2023, është 250-300 dosje në gjykim, ndërsa ka firmosur 1 mijë vendime përgjatë 2023.