Dushan Vlahoviç ndoshta është në momentin më të mirë të sezonit dhe pa dyshim që ai është mëse i bindur për të qëndruar te Juventusi, siç e tregoi gjatë verës, ku një ciklon me emrin “Lukaku” për pak e përpiu dhe mund ta largonte larg Torinos.
Por serbi rezistoi dhe tani ka vendosur që të tregojë se e meriton të gjithë investimin prej 70 milionë eurosh, plus 10 bonuse të bërë në janar 2022. Gjithsesi, Juventusi është një skuadër e cila verën e kaluar, pas dënimeve e ridënimeve që mori për çështjen e plusvalencave dhe pagave të fshehura të periudhës COVID-19 pranoi shumë lehtë që prej Federatës Italiane të Futbollit të dënohej me përjashtim nga Liga e Konferencës edhe nga UEFA, vendime këto që kanë hapur gropa të mëdha ekonomike në financat bardhezi. Por edhe pse padroni Xhon Elkan vendosi që të bëjë një shtim të radhës kapitali prej 200 milionë eurosh, kjo shifër duket se nuk jep shumë qetësi dhe klubi ka nisur një manovër rinovimesh, e cila duket se më shumë sesa pozitive është disi e rrezikshme për yjet e ekipit.
Ajo mbizotëron në faktin se kontratat vetëm zgjaten me një sezon bashkëpunimi, por rrogat nuk përmirësohen, përkundrazi kohëzgjatja në rritje është ai përmirësimi ekonomik i kamufluar. Dhe nëse deri tani atë e ka pranuar Gleison Bremer, edhe Dushan Vlahoviçit i është bërë e njëjta ofertë, madje në rastin e serbit shkohet edhe në ulje page. Nëse Bremer nga viti 2027 shkoi deri në 2028-ën duke konfirmuar rrogën prej 5 milionësh në sezon, për ballkanasin edhe 7 milionët aktuale që përfiton duket se janë shumë për Juven dhe ideja është ajo e zgjatjes së kontratës në skadencë me disa vite të tjera, por me një ulje page në 6.5 milionë euro në vit. Diçka e tillë nuk i ka pëlqyer aspak menaxherit dhe as vetë lojtarit, i cili ka oferta multimilionere nga Europa.
Kontrata aktuale e Dushanit përfundon në 30 qershor 2026, me Juventusin që i ka ofruar atë që ta zgjasë deri në 2028-ën, madje me opsion rinovimi automatik deri në 2029-ën në rast kualifikimi në Champions, por me 6.5 milionë euro. Kjo është shpjeguar se është një zgjedhje derisa Juventusi të rinisë të arkëtojë milionat e rëndësishëm nga Liga e Kampionëve, por që pa dyshim nuk gëzon aspak Vlahoviçin dhe menaxherin e tij. Përkundrazi, nëse drejtori sportiv, Kristiano Xhuntoli dhe padroni Xhon Elkan nuk vendosin të ndryshojnë strategji, rrezikohet që bomberi 23-vjeçar të irritohet dhe të mendojë edhe t’ia mbathë nga Torino.