Shkëmbi zuri poshtë 25-vjeçarin, pamjet nga shtëpia e dëmtuar në Përmet

Këto janë pamjet që vinë nga fshati Çarçovë të Përmetit, ku një shkmëb ka rrëshqitur nga mali dhe ka rënë mbi një banesë.

Masivi shkëmbor ra mbi shtëpinë ku ndodhej 25-vjeçari Dhimitër Vangjeli, duke i zënë këmbët, teksa ai ishte i shtrirë në krevat. I riu ka qëndruar për plot 3 orë me këmbët poshtë shkëmbit, teksa pas ndërhyrjes nga ekipet e emergjencave ka arritur të shpëtohet.

Ai është dërguar me urgjencë në spital, ndërsa nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.

Njoftimi i policisë:

Mëngjesin e sotëm, në fshatin Çarçovë, një masë shkëmbore ka rrëshqitur nga mali dhe ka rënë në banesën e shtetasit Dh. V., 25 vjeç. Si pasojë, ka mbetur i bllokuar në banesë, 25-vjeçari, të cilit një pjesë e masës shkëmbore i ka zënë gjymtyrët e poshtme dhe i ka pamundësuar lëvizjen. Shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe autoambulanca kanë mbërritur në vendngjarje, ku po punohet për nxjerrjen e tij.