Dëshira Qato, shefja që ndërton mbi varre: Skandal, korrupsion dhe abuzim me detyrën në Golem

Një histori që mishëron katrahurën urbane dhe arrogancën e pushtetit vendor po vjen në dritë në Kavajë. Dëshira Qato, shefja e Urbanistikës, është kapur duke ndërtuar një hotel luksoz me dy kate shtesë pa leje, buzë detit në Golem, një zonë turistike e mbrojtur nga ligji, por jo nga korrupsioni.

Ajo i ka dhënë vetes leje ndërtimi, një akt absurd dhe i paligjshëm, duke e shkelur ligjin me vetë firmën e saj, ndërkohë që më pas ka ndërtuar mbi lejen ekzistuese edhe dy kate të tjera në mënyrë krejtësisht të paligjshme. Nuk mjafton kjo: ajo është tashmë e shpallur në kërkim, e dyshuar për përfshirje në legalizimin e ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, tragjedi që u mori jetën qindra qytetarëve shqiptarë për shkak të papërgjegjshmërisë së institucioneve dhe firmosjes së rreme të strukturave që nuk plotësonin asnjë kriter teknik.

Burime nga hetimet dyshojnë se ndërtimi i hotelit në Golem është realizuar pikërisht me paratë e korrupsionit të legalizimeve të paligjshme, që u paguan më parë me jetë njerëzish.

Kush e mbron Dëshira Qaton? Pse hesht SPAK?

Në çdo vend të qytetëruar, një zyrtare e tillë do të ishte përballur me drejtësinë. Por në Shqipëri, Dëshira Qato jo vetëm ka përdorur zyrën për përfitim personal, por ka pasur dhe guximin të ndërtojë një hotel luksoz në një zonë ku qytetarët e thjeshtë s’mund të lënë as një karrocë plazhi pa u ndëshkuar nga institucionet ligjzbatuese.

E gjithë historia është simboli më i qartë i shtetit të kapur dhe bashkëpunimit midis pushtetarëve dhe krimit të ndërtimit, ku një zyrtare urbane, me firmë e me vula, ligjëron shkatërrimin e territorit për interesat e saj personale.

Sot, Dëshira nuk është thjesht në kërkim penal: ajo është në kërkim nga ndërgjegjja kolektive e një populli të varfëruar, të trembur dhe të lodhur nga padrejtësia. Hotelin mund ta ketë ndërtuar me lekët e zhvatjes së legalizimeve, por themelet e tij janë ndërtuar mbi dhimbjen e shqiptarëve që humbën jetën nën rrënojat e 2019-s.