Një analizë e fundit e të dhënave të prokurimeve publike në Bashkinë Shkodër ka zbuluar një shifër alarmante: mbi 90% e tenderave të zhvilluar nga kjo bashki janë shënuar me “flamuj të kuq” nga sistemi i monitorimit të Agjencisë së Prokurimeve Publike (APP) dhe Open Data.
Kjo do të thotë se tenderat paraqesin shenja të forta për shkelje ligjore, mungesë konkurrence apo favorizime të dyshimta. Kryetari i Bashkisë Shkodër, i cili erdhi në pushtet me premtimin për transparencë dhe zhvillim, tashmë ndodhet nën dyshime serioze për menaxhim klientelist të fondeve publike.
Burime nga Kontrolli i Lartë i Shtetit i kanë përshkruar disa nga këto procedura si jo konkurruese, me kritere të qepura me porosi dhe me fitues të paracaktuar. Disa nga shkeljet e evidentuara përfshijnë: fitues të njëjtë në tendera të ndryshëm pa konkurrencë reale, tendera të mbyllur për më pak se 48 orë në portalin e prokurimeve, kompani të reja, pa eksperiencë, por që kanë përfituar miliona lekë për punë publike, si dhe faturime të fryra për punë të pakryera në terren.
Ndër rastet më të diskutueshme përmendet tenderi për rikonstruksionin e rrugës së Livadeve me vlerë 128 milion lekë, ku është paraqitur vetëm një ofertë, kontrata e pastrimit të qytetit që i është dhënë një kompanie të regjistruar vetëm 3 muaj para garës, dhe ndërtimi i një këndi lodrash që rezulton të jetë shumëfishuar në kosto krahasuar me projekte identike në bashki të tjera.
Aktualisht nuk ka nisur një hetim zyrtar nga SPAK, megjithatë grupime qytetare dhe përfaqësues të opozitës lokale kanë depozituar kallëzime penale, duke kërkuar transparencë dhe hetim të thelluar mbi tenderat e bashkisë.
Në mungesë të një reagimi zyrtar nga kryebashkiaku, heshtja është interpretuar si shenjë e frikës nga ekspozimi publik i skemave të klientelizmit që dyshohet se funksionojnë prej vitesh në këtë bashki.