Një organizatë e mirëstrukturuar korrupsioni me bazë në kompaninë Eco Alb shpk është vënë në qendër të një skandali të frikshëm që ka përfshirë të gjithë qarkun Elbasan.
Kjo kompani, e krijuar nga të gjitha bashkitë e qarkut për të menaxhuar dhe inceneruar mbetjet urbane, është kthyer sot në një organizatë kriminale financiare, e cila ka përvetësuar rreth 9 milionë euro fonde publike pa kryer asnjë shërbim real.
Sipas hetimeve të deritanishme, bëhet fjalë për një grup të organizuar me struktura të qarta dhe me role të ndara, që nga administratori i kompanisë, tek financierët, punonjësit teknikë dhe mbështetësit politikë në bashki.
Qytetarët kanë paguar taksa për pastrimin e mbetjeve, ndërsa mbetjet janë lënë të kalben në natyrë dhe paratë kanë përfunduar në xhepat e një rrjeti të ngushtë individësh të lidhur me pushtetin lokal.
Eco Alb shpk kishte si mision përpunimin dhe incenerimin e mbetjeve, një shërbim jetik për komunitetin dhe mjedisin. Por hetimet kanë zbuluar se pavarësisht pagesave të vazhdueshme dhe deklarimeve financiare optimiste, shërbimi nuk është kryer realisht. Në vend të impianteve funksionale, ekziston vetëm një mekanizëm fiktiv për të gjeneruar fatura dhe për të zhdukur fondet publike.
Kompania është kthyer në një skemë mashtruese të mirëmenduar, ku fatura të rreme, raporte të falsifikuara dhe bashkëpunëtorë të heshtur në bashki kanë bërë të mundur vjedhjen më të madhe të fondeve të dedikuara për mjedisin.
Sipas burimeve konfidenciale, klima brenda kompanisë është tensionuar rëndë. Panik dhe frikë ka përfshirë stafin, teksa më shumë se 20 punonjës janë thirrur për t’u marrë në pyetje nesër nga organet e hetimit.
Burime të besueshme bëjnë me dije se lista e të dyshuarve është e gjatë dhe përfshin mbi 30 persona, ndër ta edhe drejtues të lartë.
Në qendër të skandalit ndodhet administratori i kompanisë, Lel Kaja, i cili pritet të arrestohet brenda pak orësh. Ai akuzohet se ka udhëhequr strukturën kriminale të brendshme të Eco Alb dhe ka firmosur dhjetëra dokumente për transaksione të dyshimta.
Kompania Eco Alb nuk ka vepruar në vakum. Ajo është produkt dhe mjet i bashkive të qarkut Elbasan, të cilat jo vetëm e krijuan, por edhe vazhdimisht e financuan dhe miratuan bilancet e saj, pavarësisht mungesës së shërbimit dhe keqpërdorimit të fondeve.
Pyetja që ngrihet natyrshëm është. A kanë qenë kryetarët e bashkive të përfshirë direkt apo kanë mbyllur sytë qëllimisht ndaj abuzimeve?
Nëse miratimi i bilanceve të rreme dhe derdhja e fondeve pa kontroll nuk do të penalizohen, atëherë e gjithë lufta kundër korrupsionit nuk ka asnjë vlerë. Organi i akuzës është përballë një sprove serioze: ta çojë hetimin përtej fasadës dhe drejt zyrave të vendimmarrjes politike.
Ndërsa fondet publike zhdukeshin, Elbasani dhe rrethinat u mbuluan nga mbetjet dhe era e keqe. Incenerimi nuk u krye. Pastrimi nuk ekzistoi. Kontrolli mungoi. Natyra u shkatërrua dhe qytetarët u mashtruan.
Ky është korrupsion ekologjik, ku përveç vjedhjes ekonomike, kemi edhe pasoja afatgjata për shëndetin e popullsisë, ujin, tokën dhe ajrin. Mijëra ton mbetje janë groposur apo lënë në vende të hapura, duke dëshmuar dështimin total të misionit të kompanisë dhe të mbikëqyrjes nga bashkitë.
Eco Alb është më shumë se një kompani, është një organizatë kriminale me mbulesë institucionale, që ka funksionuar me përkrahje politike, imunitet nga ndëshkimi dhe akses të pakufizuar në fonde publike.
Ajo që ndodhi në Elbasan nuk është një rast i izoluar, por pasqyrë e një sistemi të kalbur, ku mbrojtja e mjedisit është vetëm një fasadë për të vjedhur miliona. Prandaj, ky nuk është vetëm një rast për Prokurorinë, por një test për shtetin shqiptar: a ka vullnet për të shembur organizatat e vjedhjes që veprojnë nën petkun e shërbimeve publike?
Tashmë prangat janë vetëm çështje kohe. Një nga mashtrimet më të mëdha mjedisore dhe financiare në historinë e pushtetit vendor në Shqipëri po shpaloset. Burg për të gjithë organizatën që vodhi Elbasanin dhe helmoi qytetarët.