I gjithë fshati në pyetje/ Gjykata urdhër Prokurorisë të marrë në pyetje banorët e Lumasit, për ujësjellësin e Bashkisë Kuçovë

Gjykata e Beratit ka rrëzuar përpjekjen e turpshme të Prokurorisë për të mbyllur në heshtje një tjetër çështje që rëndon mbi interesat publike dhe ka urdhëruar rihetimin e dosjes penale për ujësjellësin e fshatit Lumas.

Një projekt i dyshimtë i Bashkisë Kuçovë që sipas banorëve jo vetëm po shkatërron pronat e tyre private por edhe një monument natyror si Kanioni i Lumit të Sinecit. Vendimi i Gjykatës ka ardhur pas një hetimi të pjesshëm dhe të pasinqertë nga Prokuroria e Beratit e cila që nga viti 2021 kishte lënë dosjen në sirtar pa marrë në pyetje as edhe një banor pa kryer asnjë verifikim në terren dhe pa asnjë përpjekje për të zbardhur të vërtetën.

Prokuroria ishte mjaftuar me një përgjigje formale nga Bashkia Kuçovë e cila në mënyrë të qartë është palë e interesuar dhe jo burim i paanshëm informacioni. Gjyqtarja Ardiola Çela ka urdhëruar prokuroret Denisa Perdja dhe Aida Yzeiraj që brenda tre muajve të plotësojnë tre detyra themelore.

Të marrin në pyetje të gjithë banorët që kanë kallëzuar dëmet. Të caktojnë një ekspert të pavarur për të verifikuar nëse projekti është zbatuar sipas ligjit. Dhe të përcaktojnë nëse janë shkaktuar dëme reale në pronat private.

Qëllimi i vetëm i këtij urdhri është të detyrojë Prokurorinë të bëjë atë që është dashur ta kishte bërë tre vite më parë por që nuk e bëri jo nga paaftësia por nga vullneti për të mos e bërë. Pasi përballë kemi një bashki të drejtuar nga një kryetar që banorët e akuzojnë hapur për korrupsion për klientelizëm për dhënie punimesh me emër dhe mbiemër dhe për shkatërrimin sistematik të pronës publike dhe private në emër të projekteve që fryhen për të justifikuar tendera të majmë. Ndërsa njerëzit e thjeshtë mbeten pa tokë pa ujë pa pronë dhe pa të drejtë.

Zëri i banorëve të Lumasit është injoruar qëllimisht ndërsa shteti është bërë palë me abuzuesit. Dhe Prokuroria në vend që të hetojë ka vepruar si zyrë avokatie e Bashkisë. Gjykata e Beratit për një herë të rrallë ka zgjedhur të mos jetë pjesë e kësaj skeme të heshtur bashkëfajësie. Por nuk ka garanci që drejtësia do të shkojë deri në fund. Sepse historia e këtij vendi na mëson se çdo urdhër hetimi ka afatin e tij kur përballë janë emra që gëzojnë mbrojtje politike dhe lidhje me strukturat që duhet të ndëshkojnë por që në praktikë bëjnë gjithçka për të mbrojtur njëri tjetrin në kurriz të qytetarit dhe ligjit.

Kryetari i Bashkisë Kuçovë është përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në një skemë të qartë korrupsioni lidhur me ndërtimin e ujësjellësit në fshatin Lumas, ku punimet janë kryer pa respektuar pronat private, pa leje të rregullta dhe në kundërshtim me interesin publik, duke shkatërruar një zonë të mbrojtur natyrore si Kanioni i Lumit të Sinecit; të gjitha këto veprime tregojnë për një administratë vendore që funksionon si zgjatim i interesave klienteliste dhe jo si institucion i zgjedhur për të mbrojtur të mirën e përbashkët, ndërkohë që firmat e lidhura me pushtetin lokal përfitojnë nga tendera të dyshimtë dhe qytetarët mbeten të dëmtuar, të neglizhuar dhe të tradhtuar nga një kryetar bashkie që në vend të transparencës dhe përgjegjësisë ka zgjedhur arrogancën, abuzimin dhe mbrojtjen e interesave të veta dhe të rrethit të tij.

Ask ChatGPT