Reagon Dhoma Kombëtare e Avokatisë – Fyerja e avokatit Gentjan Rumano, alarm për rikthimin e një mentaliteti komunist në sistemin e drejtësisë

Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë ka reaguar me tone të ashpra pas një incidenti të rëndë që ndodhi më 10 korrik 2025 në sallën e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, gjatë procesit penal të njohur si “Plumbi i Artë”. Gjatë seancës, prokurori i SPAK-ut, z. Behar Dibra, ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese ndaj avokatit Gentjan Rumano – një sjellje që është dënuar fuqimisht nga organi përfaqësues i avokatisë.

Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë e cilëson këtë akt si një shkelje flagrante të etikës profesionale dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së avokatit dhe barazisë së palëve në procesin gjyqësor. Sipas deklaratës për shtyp, ky nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një sjelljeje të përsëritur dhe të qëndrueshme nga përfaqësues të akuzës, e cila rrezikon të krijojë një klimë frike dhe intimidimi në sallat e gjyqit.

“Avokatët nuk intimidohen. Ne do të qëndrojmë fort në mbrojtje të integritetit dhe pavarësisë së profesionit tonë. Sulmi ndaj një avokati është sulm ndaj të drejtave të qytetarëve dhe ndaj vetë drejtësisë,” – thuhet në reagimin zyrtar.

Për më tepër, Dhoma ka ngritur shqetësimin për heshtjen dhe mungesën e reagimit nga trupi gjykues përballë një akti të tillë, duke theksuar se mosreagimi institucional mund të perceptohet si tolerim i kulturës së përçmimit dhe mungesës së etikës në sallën e gjyqit.

Dhoma e Avokatisë i ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) që të hetojnë me urgjencë dhe seriozitet të plotë këtë rast, duke analizuar përgjegjësinë personale të prokurorit Dibra dhe duke marrë masa konkrete për të ndaluar përsëritjen e sjelljeve të tilla.

Kjo ngjarje ka ngritur një alarm për cenimin e shtyllave themelore të një procesi të rregullt ligjor, përfshirë respektin ndaj mbrojtjes, barazinë e armëve dhe integritetin e sistemit të drejtësisë. Në një kohë kur sistemi i “Drejtësisë së Re” kërkon të ndërtojë besimin publik, akte të tilla e dëmtojnë rëndë këtë qëllim.

Dhoma e Avokatisë ka paralajmëruar se do të vijojë të monitorojë nga afër jo vetëm këtë rast, por edhe të gjitha rastet e tjera të sjelljeve fyese dhe joetike ndaj avokatëve, duke paralajmëruar përshkallëzim të reagimeve institucionale nëse autoritetet nuk marrin masa konkrete.

Tiranë, 11.07.2025

DEKLARATË PËR SHTYP DHOMA E AVOKATISË E SHQIPËRISË

Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë dënon gjuhën fyese ndaj avokatit në sallën e gjyqit gjatë procesit të quajtur “Plumbi i Artë” – AVOKATËT NUK INTIMIDOHEN

Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me incidentin e ndodhur pranë Gjykatës së Posacme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më 10 korrik 2025, gjatë seancës gjyqësore të procedimit penal nr. 75/2022.

Ajo dënon me forcë gjuhën e papërshtatshme, fyese dhe denigruese të përdorur nga përfaqësuesi i organit të akuzës Prokuroria e Posaçme (SPAK), z. Behar DIBRA, ndaj avokatit Gentjan RUMANO, anëtar i Dhomës së Avokatisë Tiranë. Fyerjet dhe denigrimi personal i një avokati në ushtrim të detyrës përbëjnë jo vetëm cënim të rëndë të dinjitetit profesional të tij, por edhe një shkelje flagrante të parimeve të procesit të rregullt ligjor dhe barazisë së palëve në një gjykim.

Mbi të gjitha përbën shkelje të drejtëpërdrejtë të Kodit të Etikës Profesionale të Prokurorëve që kanë të bëjnë me sjelljen profesionale dhe etike (neni 4), respektimi i të drejtave të palëve dhe pjesëmarrësve në proces (neni 7) si dhe marrëdhëniet korrekte me përfaqësuesit e mbrojtjes (neni 15). Duhet të bëhet e qartë për këdo se: Avokati, si garantues i të drejtave të qytetarëve dhe mbrojtës i ligjit, gëzonë mbrojtje të posaçme në ushtrimin e funksionit të tij, si një subjektë i barabartë dhe garantues në proçesin e dhënies së drejtësisë dhe për këtë duhet të trajtohet me respekt dhe barazi nga çdo Gjykatë në sistem.

Fatkeqësisht, Dhoma konstakton se ky nuk është një qëndrim i izoluar, nga përfaqësuesit e akuzës, qoftë në proçesin në fjalë ashtu edhe në proçese të tjera. Këto raste, të përsëritura, për më tepër të bëra në prani dhe përpara trupit gjykues, reagimi i të cilëve lë shumë për të dëshiruar, tregojnë për një sjellje të qëndrueshme fyese dhe përçmuese ndaj përfaqësuesve të mbrojtjes dhe një model të qëndrueshëm komunikimi jo-etik, që cënon funksionimin e rregullt të drejtësisë, minon barazinë e palëve dhe dëmton imazhin institucional të prokurorisë por edhe të gjithë sistemit të “Drejtësisë së Re”, që nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet.

Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë sjell në vëmëndje se çdo ndërhyrje, apo sjellje, që pengon ushtrimin e lirë dhe të pavarur të profesionit të avokatit bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me standardet ndërkombëtare të përcaktuara në konventat Republika e Shqipërisë aderon, me përcaktimet në Kodin e Proccedurës Penale si dhe ligjin “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”.

Çdo formë denigrimi apo fyerjeje përbën jo vetëm një cënim të dinjitetit individual të avokatit, por edhe një dëm të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë juridike dhe standardeve demokratike të një procesi të rregullt ligjor.

Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë dënon, me vendosmëri, çdo sjellje që bie në kundërshtim me parimet e barazisë së armëve, respektit reciprok dhe të drejtës për mbrojtje efektive, e për rrjedhojë ajo do të ndjekë me vëmendje të plotë zhvillimet përkatëse për këtë ngjarje dhe kërkon nga organet kompetente (Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë) të marrin në analizë me përgjegjësi rastin konkret. Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë shpreh solidaritet të plotë me kolegët e fyer dhe garanton të gjithë anëtarët e saj se do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të integritetit, pavarësisë dhe dinjitetit të profesionit të avokatit. Ajo do të monitorojë me përgjegjësi dhe në vazhdimësi ecurinë e proçesit jo vetëm në rastin konkret por edhe në raste të tjera që kanë të bëjnë me qëndrime të tilla fyese dhe denigruese të kolegëve, duke përshkallëzuarv edhe qëndrimin e saj.

Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë Komiteti Drejtues

Kryetari Prof. Dr. Maksim Haxhia