A mund të flas me një njeri? Spanja kërkon shërbim të vërtetë ndaj klientit, me ligj

Madrid – Jeni lodhur duke folur me një makinë kur telefononi bankën ose kompaninë energjetike? Qeveria e Spanjës dëshiron t’i japë fund atyre bisedave nervozuese, të njëanshme me një shërbim të kompjuterizuar përgjigjeje, duke e bërë të detyrueshme që kompanitë të ofrojnë një punonjës të vërtetë shërbimi ndaj klientit, kur kjo kërkohet nga një telefonues.

Kjo është një nga një sërë masash të përfshira në një projekt-ligj për shërbimin ndaj klientit të paraqitur nga qeveria e koalicionit të krahut të majtë të Spanjës të martën. Projektligji do të ketë nevojë për miratimin e Parlamentit të Spanjës përpara se të bëhet ligj.

“Shërbimi ndaj klientit është një pjesë kritike e marrëdhënieve tona me konsumatorët, gjë që për fat të keq dhe shumë shpesh shkakton dhimbje koke të pafundme për familjet spanjolle, sepse shumë kompani krijojnë labirinte burokratike për t’ju ndaluar të ushtroni të drejtën tuaj për shërbim,” tha Ministri i Konsumit Alberto Garzón.

“Këto janë vështirësi që për fat të keq harxhojnë shumë energji, kohë dhe para.”

Projektligji do të kërkojë gjithashtu të heqë kohët e gjata të pritjes duke i detyruar kompanitë t’u përgjigjen thirrjeve brenda tre minutave.

Ofruesit e shërbimeve bazë, si shërbimet komunale, telefoni dhe interneti, do të duhet të ofrojnë shërbimin ndaj klientit 24 orë në ditë, 365 ditë në vit.

Të gjitha kompanitë e tjera do të duhet të ofrojnë shërbim ndaj klientit gjatë orarit të punës. Të gjitha ankesat e klientëve do të duhet t’u përgjigjen brenda 15 ditëve.

Ligji do të zbatohet për të gjithë ofruesit e shërbimeve, pavarësisht nga madhësia e tyre dhe të gjitha kompanitë e tjera me më shumë se 250 punëtorë ose biznesi i të cilave kalon 50 milionë euro në vit.

Gjobat për shkeljen e ligjit do të variojnë nga 150 euro deri në 100,000 euro.