Afera seksuale dhe pazare, kallëzohet në SPAK gjyqtarja Blerta Çibuku, shuma parash në emër të burrit si argat në Greqi

Gjyqtarja e Gjirokastrës Blerta Çibuku, e përfolur dhe e denoncuar për afera seksuale, korrupsion, pazare në gjykatë dhe vendime skandaloze, është kallëzuar në SPAK nga avokati Arben Llangozi, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe moskallëzimit të krimit.

Blerta Çibuku doli në skenë në historinë e skandalit seksual të ish gjyqtarit Guximtar Boçi, i cili i kërkonte favore seksuale një gruaje, në këmbim të marrjes së vendimit në favor të saj, për ndarjen e një pasurie, banesë trekatëshe dhe një supermarketi në qytetin e Gjirokastrës.

Për këtë skandal, Guximtar Boçi vetëm u shkarkua nga detyra.

Dosjen e kishte Blerta Çibuku. Në videon e transmetuar nga emisioni “Stop” , gruaja i tregon gjyqtares Blerta Çibuku, për ngacmimin seksual nga kolegu i saj.

Po në këtë audio përgjim, gjyqtarja Çibuku pranon se i kanë ndikuar në vendimmarrje. Përpara dhënies së vendimit, gjyqtarja komunikon në zyrë direkt me palën e paditur, gjë e cila është e ndaluar, duke i thënë se nuk mund t’ia jepte fitoren asaj në gjykatë, pasi do duhet të vepronte siç i thoshte Guximtar Boçi, që ishte kryetar gjykate.

Në kallëzimin e avokatit Llangozi thotë se kemi të bëjmë me disa vepra penale të konsumuara nga gjyqtarja Blerta Çibuku si moskallëzim krimi për ndërhyrjen e paligjshme, shpërdorim detyre dhe ndoshta korrupsion.

“Për shembull po marrim rastin e parë të një episodi në videon e transmetuar nga ana e emisionit “STOP”, ku Blerta Çibuku deklaron se: Unë, kur më tha në fillim fare, që më ndërhyri…”, pra gjyqtarja pranon se ka pasur ndikim të paligjshëm nga një koleg i veti, por nuk ka marrë masa për të kallëzuar veprën penale të ndikimit të paligjshëm të të parashikuar nga neni 245-1 i Kodit Penal.

Moskallzimi i këtij krimi e ngarkon këtë magjistrate me përgjegjësi penale dhe pikërisht atë të parashikuara nga neni 248 dhe 300 të kodit penal”, thuhet në dosjen e referuar në SPAK.

Në përgjimin e publikuar, Blerta Çibuku tregon se vendimet nuk i merr sipas ligjit, por si t’i thoshte Guximtari. Edhe pse këtë gjë e ka deklaruar hapur, ajo vijon të japë drejtësi. Ky detaj përfshin elementë të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe përdhosjes së drejtësisë.

“Gjyqtarja e ka pranuar ndikimin e paligjshëm dhe po në videopërgjimin e transmetuar nga ana e emisionit “STOP” ajo deklaron më tej se: I thashë unë do mundohem do ta bëj… Në rregull, kur po afronte fundi,, i thashë unë o Guxim ça do bëjmë, bëj ça të duash tha. Tekstualisht. Ditën, që do merrja vendimin, i vajta prapë thjesht për korrektesë”.

Më tej, Blerta Çibuku flet edhe për lidhjet korruptive në KLD. “Aktiviteti kriminal i gjyqtares Blerta Çibuku vijon edhe më tej duke pretenduar se i kanë ndikuar dhe nga KLD, që të jepte vendimin në favor të njërës prej palëve në gjykim dhe Blerta po në këtë audio përgjim shprehet se: Troç fare, unë nuk e bëra, se ajo filloi me letra. Filloi me ankesa edhe mua më erdhi sinjal nga shoqja ime, që e kam në KLD. Tha: Blerta do vijnë për filan dosje. Dhe ma thotë, ja po të gënjej për shpirt të atij, dhe më thotë: të lutem tha, që ta mbyll unë, se do vij unë, që ta bëj kontrollin e dosjes, jepe në favor të saj, ta mbyllim”, thuhet në dosje.

Para në emër të burrit si argat
Nga përgjimi duket qartë se gjyqtarja Blerta Çibuku nuk jep drejtësi në Gjirokastër, por përdor çekiçin e drejtësisë për pazare, afera dhe për t’u pasurua.

Çibuku dyshohet se ka fshehur shuma të mëdha parash dhe pasuri të paluajtshme. Nga sistemi TIMS rezulton se gjyqtarja zhvillon udhëtime të shpeshta dhe frekuenton hotele me pesë yje.

Gjyqtarja Blerta Çibuku ka deklaruar edhe shuma të konsiderueshme parash dhe proan në Sarandë, në emër të bashkëshortit të saj, me burim nga puna si argat në Greqi.

Arrestoi gjyshen për një xham, liroi trafikantin
Gjyqtarja Blerta Çibuku, në një rast, ka arrestuar moshuarën 77-vjeçe Krisanthi Kore pasi akuzohej se kishte rrëzuar një antenë, kishte thyer një xham si dhe kishte hequr kabullin e internetit tek banesa e së bijës.

Kaq ka mjaftuar që të ngrihet akuza për vetgjyqësi dhe shkatërrim prone, ndërsa Blerta Çibuku e ka futur në burg.

Kundër kësaj mase të pajustifikuar ka bërë ankim mbrojtja e shtetases Krisanthi Kore, dhe nga ana e Gjykatës së Apelit është konstatuar si shkelje e rëndë e kryer nga kryer nga matrapazja Çibuku.

Nga ana tjetër, gjyqtarja Çibuku ka dënuar me kusht një trafikant droge nga Lazarati, i arrestuar me 280 kg drogë.