Aksion anti-drogë në 3 fshatrat e Vlorës, Policia jep njoftimin urgjent

Policia e Vlorës ka vënë në pranga 1 person ndërsa ka shpallur në kërkim 3 të tjerë pasi akuzohen se janë marrë me kultivimin e lëndëve narkotike. Policia ka sekuestruar 10 kilogram kanabis, gjatë kontrolleve të policisë në disa fshatra të Vlorës. Kontrollet janë zhvilluar në fshatin Mesarkë, fshatin Lubonjë dhe Selenicë.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Komisariatit të Policisë Vlorë në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, dhe si rezultat i kontrollit të territori, kanë evidentuar dhe goditur tre raste të tentativës për kultivim të kanabisit në fshatin Mesarkë, fshatin Lubonjë dhe Selenicë. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve, u bë shpallja në kërkim e shtetasit P. Rr., 61 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar përreth banesës së tij, u gjetën të kultivuara fidan të dyshuar cannabis sativa si dhe 10 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë u bë ndalimi i shtetasin F. B., 63 vjeç dhe shpallja në kërkim e shtetasit E. K., 40 vjeç, të dy banues në fshatin Mesarkë, pasi gjatë kontrollit në tokat, në përdorim nga këta shtetas, u gjetën të kultivuara fidan të dyshuar cannabis sativa. Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë, u bë shpallja në kërkim e shtetasit H. J., 48 vjeç, banues në fshatin Lubonjë, Selenicë, pasi në banesën e tij, në një sipërfaqe toke u gjetën të kultivuara fidanë të dyshuar cannabis sativa.