Akuzohet për “pastrim parash”/ Ish-zyrtarja kërkon lirinë, Alda Klosi del sot para Gjykatës së Apelit

Alda Klosi, do të dalë para Gjykatës së Apelit, lidhur me akuzat për “pastrim parash”, “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë” dhe “deklarim të rremë përballë OPGJ”.

 

Klosi ndodhet e arrestuar që prej 3 shkurtit pas dëshmisë së dytë të dhënë në polici nga pastruesja Rozeta Dobi, e cila pranoi se edhe shuma tjetër e parave mbi 400 mijë euro që u gjet në banesën e saj janë të Alda Klosit.

Sanitarja tha për hetuesit se kishte bashkëpunuar me Klosin dhe se paratë ia kishte dhënë vetë ajo për t’ia ruajtur pasi kishte konflikte me ish-bashkëshortin.

Por avokati i Alda Klosit thotë se është deklarim i rremë.

Vetë Alda Klosi nëpërmjet avokatit të saj i ka mohuar akuzat ndërsa gjykata vendosi ta lërë në masën “arrest në burg” deri në përfundim të hetimeve.

Një javë më parë avokati mbrojtës i saj Ilirjan Muho dorëzoi ankimin në Shkallën e Dytë.

Avokati ka kërkuar lirinë e Alda Klosit duke arsyetuar se ajo ka në kujdestari dy fëmijë të mitur për të rritur dhe nënën e saj të verbër, për të cilën duhet të kujdeset.

Policia vuri në sekuestro një garazh dhe një apartament në rrugën “Kongresi i Lushnjës” në Tiranë, në pronësi të ish-zyrtares Alda Klosi.

Ish zyrtarja pasi ka qëndruar disa ditë në QSUT është transferuar për në paraburgimin 325 në kryeqytet ku do të qëndrojë deri në përfundim të hetimeve në rast se apeli nuk vendos ti zbusë masën e sigurisë.

Ish-zyrtarja Alda Klosi është marrë në pyetje në ambientet e burgut 325, aty ku ndodhet që prej arrestimi.

Ishte hera e parë që Klosi nga oficerët e policisë gjyqësore që prej momentit të arrestimit, pasi Klosi shfaqi edhe probleme kardiake dhe u shtrua disa ditë në spital.

Në dëshminë që është marrë të enjten e 16 shkurtit, Klosi i ka qëndruar pretendimeve të mëparshme se pastruesja Rozerta Dobi i ka vjedhur nga shtëpia 120 mijë eurot, ndërsa pjesa tjetër e parave që pastrueses iu gjetën në tubin e aspirimit, 400 mijë euro thotë se nuk janë të saj.

Klosi ka thënë para hetuesve se paratë janë të xhaxhit të saj, ndonëse bie në kontradiktë me dëshminë që i vëllai saj ka thënë në fillim se paratë ia ka marrë ai një biznesmeni.