Një infermiere e akuzuar për vrasjen e 7 foshnjave dhe tentativën për të vrarë 10 të tjerë, ka deklaruar në gjyq se është e pafajshme.
32-vjeçarja Lucy Letby mohoi gjithsej 22 akuza të ngritura ndaj saj në seancën gjyqësore në Gjykatën e Mançesterit.
Akuzat kishin të bënin me vdekjen e pesë djemve dhe dy vajzave në spitalin “Countess of Chester” nga qershori 2015 deri qershor 2016.
Letby, nga Hereford, punonte në njësinë e kujdesit intensiv neonatale në atë kohë. Ndaj saj janë ngritur 7 akuza për vrasje dhe 15 për tentativë vrasje.
Në lidhje me tre nga foshnjat, Letby akuzohet se ka tentuar t’i vrasë në më shumë se një rast. Në një rast tjetër, Letby pretendohet se ka tentuar të vrasë një fëmijë rreth orës 10:15 të mëngjesit të 21 shtatorit 2015 dhe përsëri rreth orës 15:30 të së njëjtës ditë.