Dibran Hoxha, i njohur ndryshe në rrjete sociale me nofkën “Kobra”, i cili është dhe i dyshuari kryesor për vrasjen e 31-vjeçarit nga Kukësi Visart Cengu, ka folur për herë të parë në lidhje për ngjarjen e rëndë.
Gjatë seancës për dhënien e masës së sigurisë, Hoxha ka kërkuar që vëllai i tij nga nëna të përjashtohet nga akuzat, pasi ai ka qenë prezent në vendngjarje pasi ka ndodhur krimi.
“Pajtohem me fjalët e avokatit, veç deshta me shtu diçka në lidhje me Enver Amrallahun, ky është vëllau prej nanës. Ky ka ardhë masi ka ndodhë, masi ka ni prej tjerëve që ka ndodh diçka në lokal, ka ardhë masi me policinë mrapa krejt kur janë marrë deklaratat krejt, kanë ardhë e kanë nxanë aty si vlla”, tha i dyshuari Hoxha.
Hoxha shtoi se vëllai i tij Armallahu ka ardhur pasi kishte marrë informacione të gabuara se viktimë kishte qenë ai (Kobra).
Dibran Hoxha, pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja e rëndë, dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Manipulim me prova”, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.
Kujtojmë se sipas Prokurorisë së Kosovës, shkak për konfliktin është bërë pagesa e tavolinës me një vlerë rreth 400 euro.