Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar sot vëllain e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, Luanin.
Si sot 24 vite më parë, në datëlindjen e nënës së tij, Luan Haradinaj ra dëshmor më 6 Maj të vitit 1997 gjatë luftimeve me forcat serbe në Qafë Prush, në kufirin e asaj kohe të Jugosllavisë dhe Shqipërisë.
Kurti shkruan se është e vështirë dhe e rrallë të gjesh dikë si Luani, që kaloi kufirin nga student në luftëtar me armën e tij në dorë, e me armë për shokët.
“Në 24 vjetorin e Luanit
Luan Haradinaj e kalonte kufirin prej studentit te luftëtari me armën e vet dhe me armë për shokë. Luan do të thotë të kalosh kufirin mes mënyrës studente dhe asaj luftëtare. Nuk është e rendit të përditshëm kjo dashuri e dyfishtë për lirinë: për ushtrimin e mendimit të lirë dhe për jetën e lirë. Vështirë të ketë pasur dikund tjetër ndonjë ushtri çlirimtare si kjo e jona që ka aq shumë dëshmorë të cilët ranë duke bartur armatim për të tjerë luftëtarë që do të bëhen dëshmorë më pas”, shkruan Kurti në Facebook.
Më 6 maj të vitit 1997, Luan Haradinaj së bashku me të vëllanë, Ramushin, dhe me Fehmi Lladrovcin dhe Xhevë Krasniqin-Lladrovcin, Ilaz Kodrën, Abedin Rexhën, Selim Krasniqin, Rafet Ramën, Ramiz Lladrovcin, Emrush Xhemajlin, Ali Ahmetin, Gani Ramën e të tjerë, ishin nisur në rrugë për të kaluar kufirin afër fshatit Vlahne të Hasit, në drejtim të Kuzhinit. Atë ditë, forcat okupatore kishin zënë pusi, ndërsa Luani, i cili u printe bashkëluftëtarëve, bie i pari në pritë të forcave ushtarake e policore jugosllave. Me këtë rast plagoset rëndë Rafet Rama, ndërsa lehtë plagoset Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci.
Në ato momente kishte filluar përleshja e armatosur. Forcat okupatore kishin goditur me armë të rënda të artilerisë, me qëllim të t’i asgjësonin të gjithë luftëtarët shqiptarë. Pas përpjekjeve të shumta dhe kundërsulmit të furishëm të çlirimtarëve, Ramush Haradinaj arrin t’i afrohet trupit të vëllait. Pasi e sheh të shtrirë dhe me plagë në kokë e fytyrë, konstaton se Luani kishte rënë. Nën breshërinë e pandalshme të granatave dhe të plumbave të armikut, Ramush Haradinaj arrin ta tërheq trupin e pajetë të vëllait.
Pas katër orë rrugëtimi, me rastin e tërheqjes, Ramushi me bashkëluftëtarë e bartin mbi supe trupin e Luan Haradinajt dhe shkojnë ne fshatin Vlahne. Atje, me dhembje të thellë në shpirt, me nderime varroset trupi i dëshmorit të kombit, Luan Haradinaj. Vëllezërit, shokët dhe bashkëluftëtarët e tij, vazhdojnë rrugën çlirimtare deri më 21 qershor 1999, kur nga Kosova dëbohen përgjithmonë gjakësorët serbë.