Albtelekom 50 milionë lekë pagë gruas së ish zv/ministrit të Ballukut, Hantin Bonati; kompania mori miliona euro tenderë nga ndërmarrjet e ministrisë

Irida Bonati, bashkëshortja e ish-zëvëndësministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe aktualisht drejtorit të Albcotroll Hantin Bonati, paguhet nga Albtelekom me një pagë me vlerë rreth 50 milionë lekë të vjetra në vit, gati sa dyfishi i pagës së kryeministrit.

Në pamje të parë nuk duket ndonjë pistë e dyshimtë, pasi Albtelekom është një kompani kryesisht private dhe ka një politikë të pavarur pagash.

Por, duke u thelluar në dokumente rezulton se Albetelekom ka marrë para publike nga ndërmarrjet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, me anë të tendera të dyshimtë.

Meqenëse Hantin Bonati konsiderohet si njeri i besueshëm dhe pjesë e klanit të Belinda Ballukut, ngrihen dyshime të forta për ndikim të Bonatit për të kanalizuar paratë publike në llogaritë e kompanisë ku punon gruaja e tij me një pagë marramendëse.

Gjatë kohës kur Hantin Bonati ishte zëvëndësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë deri kur u emërua në krye të Albcontroll vitin e kaluar, Albtelekom ka marrë miliona euro tendera në institucionet në varësi të Infrastrukturës dhe Energjisë, me procedura të dyshimta dhe në shumë raste me flamur të kuq.

Në të njëjtën kohë gruaja e tij merrte pagën e lartë tek përfituesi i fondeve, Albtelekom, që ka marrë tendera edhe nga Albcontroll që drejtohet sot nga Hantin Bonati.

Kompania Albtelekom ka lidhur kontrata me vlerë miliona euro me OST, KESH, OSHEE, Albpetrol, Albcontroll etj., që të gjitha këto pjesë Ministrisë së Energjitikës dhe Infrastrukturës ku Bonati shërbente si zëvëndës i Belinda Ballukut.

Kontratat e dyshuara si klienteliste janë lidhur për shërbim interneti, linjë telekomunikacioni etj.

Në fakt nuk ka bërë ndonjë gjë më shumë Alqi Bllako, i cili bënte letrat për inceneratorët, ndërsa kompania përfituese i jepte babait të tij mbi 10 milionë lekë pagë në muaj.

Hantin Bonati me shumë gjasa nuk ka firmosur tender për kompaninë ku punon gruaja e tij, por ndikimi nuk është gjithmonë me firmë, mjafton pozicioni.