Aleati i ngushtë i Vladimir Putinit sulmon SHBA: Po nxit konflikt të armatosur në Bosnje dhe Hercegovinë

Presidenti i Republikës Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, ka hedhur akuza në drejtim të ambasadës amerikane duke thënë se po nxit konflikt në Bosnje dhe Hercegovinë.“Vetëm në Bosnje dhe Hercegovinë një diplomat i huaj nxit konflikte, mbështet gjuhën e urrejtjes të liderëve fetarë dhe mbetet diplomat”, ka thënë ai. Ai pretendoi se Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Bosnje dhe Hercegovinë “mbështet idenë e një rebelimi të armatosur në Bosnje dhe Hercegovinë” dhe sipas tij, këtë do ta bëjë me myslimanët e BeH-së duke përdorur armët amerikane. “Nga vëzhgues pasiv i pikëpamjeve fondamentaliste të (kryetarit të Bashkësisë Islame në Bosnje dhe Hercegovinë, Husein) Kavazovi?ç-it, ambasada amerikane filloi të mbrojë hapur myslimanin e parë në Bosnje dhe Hercegovinë”. “Vetëm se unë personalisht mendoj se ata nuk po e mbrojnë Kavazoviçin, por ideja e një rebelimi të armatosur, që do të bënin myslimanët, me armët amerikane”, shtoi ai në një shkrim të publikuar në faqen e tij. Gjithashtu ai tha se Ambasada e ShBA-së në Sarajevë “po i lan përsëri hesapet” me të dhe “në vend të një dënimi të qartë të thirrjeve të Reisit për armë që do të ishte një gjest qytetërues i një ambasade, për habinë e të gjithëve, po shohim mbrojtjen e pikëpamjeve të Kavazoviç”. Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës ka iniciuar një rast kundër presidentit të entitetit serb në BeH për mohim të gjenocidit. Sipas ligjit, pas inicimit të rastit, Zyra e Prokurorit të BeH-së kryen hetim, pas së cilit prokurori i rastit vendosë nëse do të ngritë aktakuzë.