Në Evropë luhet një tjetër muzikë, Milanit nuk i mungoi ritmi përballë B.Dortmund, as rastet, por i mungoi finalizimi. Faza ofensive e Piolit zhgënjen pikërisht atëherë kur nuk duhej, në Champions kanë “alergji” nga goli pasi kjo ishte sfida e dytë që e mbyllin me rrjeta të paprekura. Gjithsesi, një pikë në “Signal Iduna Park” nuk është për tu hedhur poshtë.
Rastin më të pastër, në pjesën e parë, e kishte Giroud, por devijimi i francezit përfundoi mbi traversë. As Dortmund nuk qëndroi pasiv në këtë sfidë, por bënë shumë pak për të bezdisur portierin Mike Maignan. Në pjesën e dytë, Pulisic dhe Theo Heranadez provuan në dy momente të gjenin në rrugën e rrjetës, por pa sukses. Në fund, provoi edhe Chukwueze, por i vetëm përballë portierit Kobel gjuajti keq duke shpërdoruar një rast të pastër. Në fund, dy ekipet ndajnë nga një pikë pas barazimit 0-0.
Stefano Pioli në përfundim të sfidës u ndal pikërisht te ky detaj, te fakti që ekipi i tij e ka të vështirë të shënojë në Champions: “Rastet e krijuara në pjesën e dytë ishin të rëndësishme, të vjen keq që edhe një herë nuk arritëm të shënonim. Të mos fitosh asnjë nga këto dy ndeshje është një mëkat”, u shpreh Pioli duke bërë dhe një koment në lidhje me situatën në grup: “Ne e dimë që nuk duhet të gabojmë në asnjë hap. Grupi ynë është ai me kualitetin më të lartë. Besoj se sfida dyshe me PSG do të jetë përcaktuese”, theksoi trajneri i Milanit pas ndeshjes.