Nëntë prekjet e topit si me Sampdorian, të paktën nuk u përsëritën. Ndaj Milanit, Dushan Vlahoviçi e preku topin 29 herë, një nga të cilat për të asistuar Brahim Diazin.
Ndaj Sampit, të paktën, pati goditur një herë portën, ndërsa “San Siro” vijon të jetë tabu thuajse për gjithçka. Hera e parë si juventin, por për t’u harruar gjithsesi, pasi serbi konfirmon alergjinë ndaj ekipeve të mëdha.
Maksimumi i paraqitjes së DV9-ës ndaj “Djallit” ishin disa lëvizje dhe një prekje me dorë që për pak mund të kishte rezultuar vetëvrasëse.
Shifrat e sulmuesit, në fakt, janë edhe më negative kur shihen me lupë. 11 pasime pozitive kundrejt 9 negative. Katër duele ndër të cilët vetëm një i fituar dhe 12 topa të humbur.
Sigurisht, ndërlikimet erdhën edhe si pasojë e mbrojtjes së Milanit, por sidoqoftë, Dushani duket larg prezantimit që i bëri Pavel Nedvedes kur deklaronte se i ngjasonte me Ibrën.
PROVIMET VAZHDOJNË – Në një klub si Juventusi je gjithmonë në vëzhgim, por Milani për Vlahoviçin ishte më shumë se një test.
Golat ndaj Bolonjës dhe Makabit duket sikur e kishin rindezur 23-vjeçarin, i cili për të konfirmuar momentin e mirë kishte shënuar edhe në kombëtare kundër Norvegjisë së Halandit.
Ta krahasosh sot numrin 9 bardhezi me bomberin e Sitit është një mizori. Norvegjezi shënon ndaj kujtdo, ndërsa juventini ende nuk ka mundur të mposhtë një portier ekipi të madh.
Vjet maksimumin e kishte arritur duke i shënuar Lacios, teksa golin ndaj Interit në finalen e Kupës nuk e shijoi dot për arsye që tashmë dihen. Në kampionatin aktual ka shënuar 6 herë në 11 ndeshje dhe kulmin e ka arritur ndaj Romës, teksa Benfikën, PSGnë e tashmë edhe Milanin i ka kaluar agjërueshëm. Sidoqoftë, provimet do të vazhdojnë.
RAPORTI ME TRAJNERIN – Në përballjen e fundit mes Milanit dhe Juves palët u ndanë me barazim pa gola pas një ndeshjeje, e cila mund të cilësohet si më e shëmtuara mes këtyre ekipeve në vitet e fundit.
Të shtunën, Alegri dhe Vlahoviçi u mundën me dy gola. Zgjedhjet e trajnerit nuk e bënë diferencën e aq më pak bomberi i blerë për 80 milionë euro 10 muaj më parë.
Serbit iu kursyen 10 minutat e fundit me qëllimin për ta kursyer, por edhe për të hedhur freskinë e Kenit në sulm. Dushani u mërzit dhe përplasi një shishe uji në tokë.
Sinjal i qartë mërzie, e cila lindte më shumë prej paraqitjes sesa prej zëvendësimit. Alegri e përqafoi dhe e ftoi të rrinte i qetë. Një e rrahur mbi supe mbylli dialogun, me shpresën që do të ndezë qasjen e numri 9, të cilin nesër mbrëma e pret një tjetër takim me peshë.
Për vete dhe për sezonin e “Zonjës së Vjetër” në Europë.