Analisti Enver Bytyçi, shprehet se kryedemokrati Lulzim Basha nuk e mbajti fjalën për të mos përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar, ndërsa shton se ai e përdori liderin historik të PD, në mënyrë që të jetë sërish në krye të kësaj partie.
Sipas analistit, akuzat që bënë Lulzim Basha, tregojnë që ky i fundit ka qenë i përfshirë jo vetëm në një projekt të tij, por të një klubi më të madh për të denigruar Berishën, për ta larguar me dhunë nga politika.
“Lulzim Basha e përdori Sali Berishën dhe sapo mori mandatin si kryetar partie ai e tradhtoi këtë kauzë dhe tradhtoi anëtarët e PD, të cilët e dinin që Berisha është shpallur “Non Grata” dhe shprehën mbështetjen e pakufishme ndaj tij. Kjo vinte për shkak të besimit të demokratëve që kanë për Sali Berisha. Për shkak të besimit të plotë se ato akuza ndaj Berishës, synonin të shkatërronin PD.
Basha duhej të mbante premtimin se nuk do ta merrte këtë vendim dhe Berisha do të vazhdonte që të zgjidhte problemin e tij në mënyrë ligjore me departamentin e shtetit. Vendimi i Bashës shkon përtej presioneve të ambasadores amerikane. Shkon në linjën që Basha mezi ka pritur ta hedh përtej PD ish-liderin historik. Akuzat që vazhdon të bëjë dëshmon që Basha ka qenë i përfshirë jo vetëm në një projekt të tij, por të një klubi më të madh për të denigruar Berishën, për ta larguar me dhunë nga politika”, tha ai.