Arrestimet nga SPAK / Kompania Ed Konstruksion e grupit Ibrahimi korruptonte zyrtarët e bashkive, mbi 100 milionë euro tendera

Katër zyrtarë të Bashkisë Dimal dhe 2 punonjës të kompanisë së ndërtimit Ed Konstruksion janë vënë në pranga nga policia pas urdhër-arresteve të lëshuar nga SPAK.

Janë arrestuar Drejtori i Zyrës së Urbanistikës në Bashkinë Dimal Altin Pali, Valentina Jançe, shefe e Urbanistikës, Agim Cuni, Specialist te Emergjencat, dhe Arben Guraj, Përgjegjës i sektorit të Shërbimeve.

Gjithashtu kanë rënë në pranga Vait Koshi dhe Arjan Demiraj, punonjës së kompanisë Ed Konstruksion. Valentina Jançe, shefe e Urbanistikës është lënë në ‘Arrest Shtëpie’.

4 zyrtarët jepnin leje ndërtimi kundrejt ryshfetit që varionte nga 2500 euro deri në 3 mijë euro.

Mirëpo kjo nuk është e vetmja, pasi jepnin lejet e ndërtimit, i impononin qytetarët që ndërtimin në terren nga qytetarët të bëhej pikërisht nga kompania e preferuar e zyrtarëve të bashkisë.

Pra kemi të bëjmë me favorizim të kompanive të ndërtimit nga ana e zyrtarëve të bashkisë.

Kompani Ed Konstruksion, e cila sipas dosjes korruptonte zyrtarët e bashkisë është në pronësi të Alfred, Eduart, Ramadan dhe Jorgjie Ibrahimi.

Vetëm gjatë viteve të fundit, kompania Ed Konstruksion ka marrë mbi 110 milionë USD tendera nga pushteti vendor dhe qëndror.