Arrestohet në mesnatë efektivi i gardës, që shërben pranë “Vettingut”/ Ishte i dehur në timon

Arsan Demaj, një efektiv i Gardës së Republikës që shërben si shoqërues i njërit prej komisionerëve, tek Komisioni i Pavarur i Kualifikimit “Vetting”, është arrestuar mesnatën e djeshme nga punonjësit e policisë të komisariatit Nr.3 në Tiranë. Arsan Demaj,ka qënë në gjëndje të dehur dhe nuk ka pranuar ti qëndrojë një patrulle policore që ishte e pozicionuar në një postobllok në rrugët e Tiranës.

Demaj, ka kundërshtuar punonjësit e policisë dhe më pas është larguar me automjet. Por pas ndjekjes është bërë neutralizimi i tij. Në momentin e ndalimit, mësohet se Arsan Demaj, ka kondërshtuar urdhërin e policisë për ta shoqëruar në polici, duke shfaqur dhe veprime të rezistencës fizike. Më pas Demaj është shoqëruar në ambjentet e komisariatit Nr.3 në Tiranë, ku mësohet se materialet hetimore do i kalojnë prokurorisë së Tiranës, për akuzën e “Drejtimit të mjetit në gjëndje të dehur” dhe “Kundërshtimit të urdhërit të punonjësit të policisë”.