Arsenali del nga kriza në derbi dhe rimerr kreun, makthi i Çelsit me Lampard nuk ka fund

Arsenali i ka dhënë fund serisë së ndeshjeve pa fitore në kampionat duke fituar derbin ndaj Çelsit dhe duke marrë edhe një herë kryesimin në Premier Ligë.

Pas tre barazimesh dhe një humbje që i kishin hequr nga duart kreun, Arsenali kërkonte reagim dhe ashtu ishte, sidomos në pjesën e parë të sfidës ku “topçinjtë” ishin të papërmbajtshëm. Dy gola të Odegard me asiste të Xhakës dhe pastaj goli I Zhezus bënë që pjesa e parë të mbyllej 3-0 dhe fraksioni i dytë i lojës të ishte praktikisht një formalitet.

Çelsi ia doli në pjesën e dytë të shënonte një gol me Madueke, por ishte shumë pak për të shqetësuar skuadrën e Artetës e cila triumfoi në derbi dhe mori përkohësisht edhe një herë vendin e parë, me dy pikë më shumë se Siti, por edhe me dy ndeshje më shumë të luajtura se ekipi i Guardiolës.

Ndërsa Çelsi vazhdon e zhytet në renditjen e kampionatit, teksa makthi nën drejtimin e Frenk Lampard nuk ka fund. Deri tani, klubi londinez ka humbur të 6 ndeshjet e luajtura që pas rikthimit të tij në pankinën e bluve.