Arsenali është i pandalshëm dhe thellon avantazhin në krye të Premier Ligës falë edhe humbjes në shtëpi të Mançester Sitit me Brentfordin. Skuadra e Artetës arriti fitoren e tretë radhazi në fushën e Uolvesit falë dopietës së kapitenit Odegard.
Në pritje të “Boxing Day”, kur rinis kampionati pas Botërorit, “Topçinjtë” shkojnë +5 nga vendi i dytë. Miqtë e nisin fortë ndeshjen, edhe pse nuk arrijnë të zhbllokohen në pjesën e parë. Arteta humbet edhe Xhakën (volli dhe nuk u ndie mirë si pasojë e një virusi). Por pas kthimit të skuadrave nga dhomat e zhveshjes, mendon fantazisti norvegjez për të shënuar golin e parë, duke i paraprirë shokut të skuadrës Saka pas asistit nga e majta e Vieirasë në 54’. “Ujqërit” provojnë të reagojnë, por Odegard shuan çdo shpresë në 75’, kur shënon golin e 6-të këtë kampionat.
ARTETA – Arsenali do ta festojë Krishtlindjen në krye të Premier Ligës për herë të parë prej sezonit 2007-‘08, të cilin në fund e mbylli në vend të tretë. +5 pikë avantazh nga vendi i dytë është diferenca më e thellë e “Topçinjve” në krye të klasifikimit që prej 13 dhjetorit 2013.
“Ky është mentaliteti që duhet të kesh për të qenë në majë. Ka kaluar një periudhë shumë e gjatë që kur kemi qenë në këtë pozicion. Tifozët e meritojnë për transformimin e plotë që kemi krijuar në klub falë energjisë, pasionit dhe përfshirjes së tyre dhe atë që u kemi transmetuar lojtarëve. Askush nuk e priste këtë”, tha tekniku spanjoll.