Mikel Arteta ishte nervoz në çdo prekje topi dhe në çdo vendim të arbitrit sidomos në pjesën e parë, i cili i kushtoi edhe një karton të verdhë. Në një finale si kjo, trajneri spanjoll e dinte se për ta fituar duhet t’i udhëzonte lojtarët e tij për të luftuar për çdo centimetër në fushë. Dhe ata kanë meritën që nuk u dorëzuan deri në fund përballë makinerisë së Pep Guardiolës, e cila këtë herë u dorëzua vetëm në sekondat e fundit.
Ndihemi shkëlqyeshëm, nuk mendoj se ka ndjesi më të bukur sesa ta fitosh trofeun në mënyrën sesi ne e bëmë”, tha trajneri i “topçinjve”, skuadra e të cilit nuk e ka harruar ende mënyrën sesi e humbi Premier Ligën sezonin e fundit ndaj “qytetarëve”: kryesoi për 284 ditë më shumë se çdo ekip në histori dhe Artetës i kaloi nëpërmend edhe dorëheqja: “Javët e para ishin shumë të vështira. Gjëja e parë që ti duhet të bësh është të shohësh në pasqyrë dhe kuptosh nëse ka diçka që to duhet ta kishe bërë më mirë apo ndryshe?
Nëse është ky rasti atëherë ti duhet të mësosh prej saj. Duhet të analizosh veten. Duhet të gjykosh nëse ti je ende personi i duhur për të udhëhequr klubin. Përgjigja pas reflektimit ishte ‘po’ dhe unë ndihem shumë pozitiv”. Ai lavdëroi edhe portierin Aron Ramsdejl, i cili u ngrit në lartësinë e duhur në një moment tensioni në finalen e Superkupës: “Ai ishte i shkëlqyer. Ne stërvitemi shumë për penalltitë gjatë fazës përgatitore në mënyrë që të jemi gati për këtë. Ne ishim të zhgënjyer për atë që ndodhi kundër Mançester Junajtidit dhe nuk donim që të ndaleshim prej kësaj”.
Në këtë sezon arbitrat kanë paralajmëruar se ndeshjet do të zgjasin rëndom 100 minuta dhe për shkak të minutave të shtesës në këtë finale kundër Sitit (8) Arsenali i tij mundi ta përmbyste ndeshjen. Kundër shtesave të gjata nuk ishte as rivali i tij Pep Guardiola, për të cilat spanjolli tha: “Mendoj se minutat e shtesës janë shtuar për shkak të kohës efektive. Sa më shumë që të ndalet loja, aq më shumë do të ketë shtesë. Unë mendoj se është më mirë të kemi një rregull të tillë”.