Asllani nuk humbet kohë, është ndër të parët që rikthehet për… Milanin

Kristjan Asllani ishte nga më të dalluarit me Kombëtaren në dy ndeshjet ndaj Çekisë dhe Polonisë. Pavarësisht se në Itali nuk ka shumë minuta me Interin, mesfushori shqiptar ka shkëlqyer me fanellën kuqezi duke treguar një kualitet të madh.

Ndërkohë, menjëherë pas ndeshjes, për Asllanin ka nisur një tjetër “luftë”, ajo për titullin kampion në Itali. Mesfushori shqiptar ka fluturuar menjëherë në drejtim të Milanos dhe do të jetë në stërvitje ditën e sotme për derbin e së shtunës, mes Interit dhe Milanit.

Asllani së bashku me De Vrajn e Dumfrisin, do të jenë të parë që rikthehen në skuadër pas angazhimeve me Kombëtaren. Ndërkohë, në “Appiano” gjatë këtyre ditëve janë stërvitur 7 lojtarë nga skuadra e parë dhe pak nga pak, numri po plotësohet.