Lufta në Gaza vijon prej rreth 3 muajsh, por ata që vuajnë më së shumti pasojat e saj, janë pikërisht civilët.
CNN raporton se përveç personave të cilët humbin jetën, mesatarisht në 24 orë, më shumë se 10 fëmijën humbin gjymtyrët e tyre si pasojë e sulmeve.
Duke nënvizuar situatën e tmerrshme humanitare në Palestinë, theksi vihet në amputimet e kryera pa anestezi.
Në një deklaratë ku ka cituar statistikat e Kombeve të Bashkuara, drejtori i “Save the Children” për territorin e pushtuar palestinez, Jason Lee, tha se vuajtja e fëmijëve në këtë konflikt është e paimagjinueshme.
“Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi për vrasjen dhe gjymtimin e fëmijëve”, tha ai.
Save the Children iu referua vërejtjeve të zëdhënësit të UNICEF-it, James Elder, i cili pasi u kthye nga Gaza, tha më 19 dhjetor se rreth 1000 fëmijë kishin humbur njërën ose të dyja këmbët që nga 7 tetori, kur Hamasi filloi sulmin e tij ndaj Izraelit dhe shpërtheu lufta.Organizata bamirëse citoi gjithashtu një deklaratë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë ku thuhej se shumë nga këto operacione te fëmijët u kryen pa anestezi, duke pasur parasysh mungesat e rënda në furnizime mjekësore në Gaza.
Lee tha se kishte parë mjekët dhe infermierët të mbingarkuar emocionalisht kur fëmijët silleshin me plagë shpërthimi.
“Ndikimi i të parit të fëmijëve me kaq shumë dhimbje dhe mungesës së pajisjeve, ilaçeve për t’i trajtuar ose për të lehtësuar dhimbjen, është i tepërt edhe për profesionistët me përvojë”, tha ai.
Fëmijët kanë gati shtatë herë më shumë gjasa të vdesin nga dëmtimet e shpërthimit sesa të rriturit pasi ata janë më të prekshëm dhe më të ndjeshëm ndaj lëndimeve, sipas bamirësisë.
“Kafka e tyre nuk është ende plotësisht e formuar dhe muskujt e tyre të pazhvilluar ofrojnë më pak mbrojtje, kështu që një shpërthim ka më shumë gjasa të copëtojë organet në barkun e tyre, edhe kur nuk ka dëme të dukshme”, tha Lee.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit kanë thënë vazhdimisht se nuk po shënjestrojnë civilët dhe se Hamasi përdor infrastrukturën civile, përfshirë spitalet, si mburojë për sulmet e tij ndaj Izraelit.
Të paktën 22,835 palestinezë janë vrarë dhe 58,416 të tjerë janë plagosur në Gaza që nga 7 tetori, tha të dielën Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza e drejtuar nga Hamasi.