Në datën 10 shtator 2015, qyteti i Sarandës u përball me një stuhi të rrallë, e cila përveç përmbytjes së disa banesave dhe bizneseve, shkaktoi edhe kaos në Portin e Sarandës.
Një vinç portual, për shkak të erërave të forta, u rrëzua mbi dy peshkarexha, duke i shkatërruar plotësisht. Kjo nuk ishte veçse një katastrofë natyrore por edhe një provë klasike e një katastrofe administrative dhe ligjore.
Pronari i njërës prej peshkarexhave iu drejtua gjykatës, kërkoi dëmshpërblim dhe… fitoi. Gjykata e shkallës së parë Sarandë urdhëroi Autoritetin Portual të Sarandës të paguajë 500 milionë lekë. Në një vend tjetër, kjo do të ishte vetëm një kosto për dëmin. Në Shqipëri, është një alarm për paaftësinë dhe korrupsionin.
Çudia e madhe nuk qëndron te vendimi i gjykatës, por te fakti që drejtori i Portit, Alket Qendro, nuk e ankimoi vendimin një detyrim standard procedural për çdo institucion shtetëror.
Dhe për këtë “gabim” monumental, ai u shkarkua me urdhër personal nga kryeministri Edi Rama. Po, e ka marrë vetë në telefon dhe i ka treguar derën. Nuk bëhet fjalë për neglizhencë por për një vendim të qëllimshëm, që ngjall shumë dyshime.
Burime pranë qeverisë thonë se kjo “harresë” e Alket Qendros mund të mos ketë qenë thjesht një lapsus, por një akt i mirëkoordinuar në kundërshtim me ligjin.
Në korridoret e portit dhe të drejtësisë kanë nisur të flasin për lidhje të dyshimta mes palëve, mungesë transparence, dhe përfitime të fshehta.
A janë vënë në lëvizje organet ligjzbatuese? Askush nuk e di. Hetim penal? Zero transparencë.
A do të ketë ndonjë masë? Në Shqipërinë e drejtësisë së reformuar, gjithçka është e mundur, përveç drejtësisë vetë.
Ndërkohë, 500 milionë lekë dolën nga xhepi i qytetarëve, një drejtor largohet në heshtje dhe peshkarexhat, edhe pse të shkatërruara, duken më të forta se ligji.
Drejtori iku, paratë u lanë, e përgjegjësia… peshkon nëpër ujërat e turbullta të portit të Sarandës.