Mohamed Salah arriti pikën historike të 200 golave në futbollin anglez pasi shënoi dy herë në fitoren 3-0 të Liverpulit ndaj Brentfordit të dielën. Ylli egjiptian i Jyrgen Klopit i vendosi të kuqtë në komandën e ndeshjes së të dielës në Premier Ligë në “Anfield Road”, e cila i barazoi ata momentalisht me pikë me Mançester Sitin në krye të tabelës.
Me 198 gola për Liverpulin dhe 2 për ish-klubin e Çelsit, 31-vjeçari ka arritur të shënojë 200 gola për klubet angleze deri tani në karrierë. Salah, gjithashtu vazhdoi një seri të jashtëzakonshme të kontributeve të golave në “Anfield”.
Ai e ka gjetur rrjetën në 14 nga 15 daljet e tij të fundit në kampionat atje, duke shënuar 17 gola në total dhe duke përfshirë gjashtë këtë sezon. Përveç kësaj, ai iu bashkua ishsulmuesit të Arsenalit, Tieri Henri, dhe legjendës së Njukasëllit, Alan Shirer, duke shënuar ose asistuar në 15 ndeshje radhazi në shtëpi në Premier Ligë.
Si rezultat, Salah është i pari për kombinimet gola-asiste në kampionatin anglez këtë sezon, me 14 të tillë. 31-vjeçari shënoi dy gola për Çelsin në 19 paraqitje gjatë fillimeve të karrierës së tij në Angli, përpara se të transferohej në Serinë A, te Roma në vitin 2016.
Por ai kaloi vetëm një sezon atje përpara se Liverpuli ta kthente në Premier Ligë dhe ai u bë një nga golashënuesit më të rëndësishëm të futbollit anglez dhe një ikonë e 19 herë kampionëve të Anglisë.
Salah shënoi 44 gola në të gjitha kompeticionet gjatë sezonit të tij debutues dhe ka shënuar të paktën 30 gola në tre sezone që atëherë. Ai refuzoi edhe një ofertë nga Arabia Saudite në merkaton e verës, me Al-Itihadin që ishte gati ta bënte transferimin më të shtrenjtë të historisë së futbollit, por edhe lojtarin më të paguar në botë.