Mesfushori i Mançester Sitit, Ilkaj Gyndogan, ende nuk e ka vendosur të ardhmen e tij. As nëse do të vazhdojë te Siti dhe as nëse do të pranojë ndonjë nga ofertat e shumta që ka, një prej tyre nga Barcelona.Agjenti i tij ka mohuar që mesfushori të ketë marrë një vendim dhe tregon se ai është ende i hapur për gjithçka, pa përjashtuar as rinovimin e kontratës që skadon në vitin 2023.
“Nuk ka ende asnjë marrëveshje me asnjë klub”, shpjegoi Ilhan Gyndogan, xhaxhai dhe agjenti i lojtarit për “The Guardian”.
“Fokusi i Ilkaj në javët e fundit është përqendruar vetëm te Mançester Siti dhe lindja e djalit të tij”, tha ai.
Më pas ai ka shtuar: “Gyndogan është në fazën finale dhe vendimtare të sezonit dhe është plotësisht i fokusuar në këtë, por vendi ku do të luajë në sezonin e ardhshëm është ende i hapur”.
Sipas tij, Barcelona është një nga mundësitë për mesfushorin, me klubin katalanas të gatshëm t’i bëjë një vend në formacion.