Bashkëshorti i saj u dhunua me çekiç brenda banesës, Nancy Pelosi: Jemi të traumatizuar

Nancy Pelosi është “e traumatizuar” nga sulmi ndaj bashkëshortit të saj, Paul Pelosi, i cili u godit me çekiç nga një 42-vjeçar që hyri fshehurazi në banesën e çiftit.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA tha se familja e saj ishte “mirënjohëse për reagimin e shpejtë të policisë” dhe për kujdesin mjekësor që iu dha bashkëshortit të saj.

Paul Pelosi u godit me çekiç nga David Depape në shtëpinë e çiftit në San Francisko të premten, por politikania nuk ishte në banesë.

Gjendja e tij vazhdon të përmirësohet, tha Pelosi, teksa informoi mbi gjendjen e 82-vjeçarit.

“Ai pësoi frakturë në kafkë dhe lëndime në krahun e djathtë dhe duar, ndodhet në spital nën kujdesin mjekësor”, u shpreh Pelosi.

I dyshuari, David Depape, kishte kërkuar të takohej me politikanen amerikane, duke nxitur frikën për dhunën politike në prag të zgjedhjeve afatmesme të 8 nëntorit.

“Fatkeqësisht, një person i dhunshëm hyri në banesën e familjes sime, duke kërkuar të përballej me mua dhe sulmoi brutalisht bashkëshortin tim Paul. Fëmijët tani, nipërit dhe mbesat, jemi zemërthyer dhe të traumatizuar nga kërcënimi me jetë. Jemi mirënjohës për reagimin e shpejtë të forcave të ligjit dhe shërbimit mjekësor.”

Oficerët e policisë iu përgjigjën një telefonate rreth orës lokale 02:27 të premten.

Kur mbërritën në banesë, efektivët gjetën Pelosin dhe të dyshuarin duke u përleshur për të kapur çekiçin, por autori arriti qe t’ia marrë nga duart 82-vjeçarti dhe e goditi në kokë e trup.

I dyshuari u kap nga oficerët. Ai kishte tentuar të lidhë Pelosin “derisa Nancy të kthehej në shtëpi”. Raportohet se ai bërtiti “ku është Nancy?” gjatë incidentit.