Xhuzepe Bergomi është një nga ata futbollistë që ka shkruar me emrin e tij pjesë të rëndësishme të historisë së futbollit italian e global, duke debutuar që 17 vjeç me Interin, por mbi të gjitha duke qenë futbollisti i dytë më i ri në histori (pas Pelesë me Brazilin), që ka mundur të shpallet kampion bote (në vitin 1982 me Italinë, në moshën 18 vjeç). Ish-mbrojtësi dhe kapiteni zikaltër ka kaluar gjithashtu edhe disa gjenerata fantastike futbollistësh, ku ata që spikasnin më shumë ishin pa dyshim sulmuesit. Mes epokave Altobeli dhe Ronaldo “Fenomeni” patën kaluar gjithashtu Rumenige, Serena, Soza, Zamorano etj, prandaj kush më mirë se Bergomi mund të pyetej lidhur me manovrat dhe lëvizjet që ka menduar që të bëjë këtë merkato vere klubi i Interit.
Bergomi, ju pëlqen se si po merr formë reparti sulmues zikaltër për sezonin tjetër?
Po lind një repart madhështor, po. Por dua të ndalem sidomos tek operacioni “Lukaku”, të cilin e kam mirëpritur që në momentin e parë. Kjo, pasi tek Interi rikthehet një futbollist që shton cilësi, të cilat i mungonin kësaj skuadre në sezonin e ardhshëm. Përveçse një sulmues i madh, Romelu është edhe një lider karizmatik që di të tërheqë të gjithë grupin me vete.
Po Dibala nuk ju jep të njëjtin entuziazëm?
I afruar me parametër zero, një sulmues i tillë është më shumë sesa një dhuratë, një shans për të pasuruar falas një repart të rëndësishëm. Interi bën mirë që provon ta sjellë në Milano, ndonëse në mendjen time Dibala është ai që personalisht mendoj se do të hasë më shumë vështirësi për t’u bërë pjesë e projektit. Gjithsesi, unë kam pasur besim në punën dhe idetë e Simone Inzagit dhe dua të vazhdoj të kem, siç bëri për shembull me Çalhanoglunë, të cilit i gjeti menjëherë vendin e duhur në fushë.
A mendoni se me të drejtë disa nga tifozët e Interit nuk e duan më Lukakun, pas largimit verën e kaluar?
Askush nuk duhet të kontestojë Lukakun nëse rikthehet, pasi verën e kaluar edhe Interi ishte i interesuar që ta shiste për bilancet e tij. Prandaj, ishte një zgjedhje e gabuar, por mbase këtë herë do të korrigjojë shumë aspekte edhe për të ardhmen.
Besoni se Inzagi do të dijë që t’i marrë Lukakut të njëjtën gjë që arriti Konte?
E ritheksoj, kam besim te Simone Inzagi. Verën e kaluar, në pak ditë që e stërviti Lukakun kishte mbetur i mahnitur, pasi nuk kishte parë kurrë në jetën e tij një sulmues me forcën e tij fizike. Duke parë se edhe te Lacio me Imobilen kërkonte gjithmonë thellësinë, edhe pse Çiro nuk ka forcën fizike të Romelut, unë mendoj se me të njëjtin stil Lukaku mund t’i sjellë shumë më shumë përfitime Inzagit dhe Interit.
Po blerja e Asllanit si ju duket?
Kristjani është një tjetër vlerë e shtuar. Ju zbuloj se Interi e ndiqte Asllanin që kur ai luante për të rinjtë e Empolit dhe binte në sy. Pastaj, fakti që Brozoviç 2-3 apo 4 ndeshje në vit për skualifikim i humb, por edhe kur ka nevojë që të pushojë, Asllani mendoj se është alternativa e duhur për të mbajtur peshën e rolit përpara mbrojtjes.