Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Sali Berisha ngriti shqetësim mungesën e debatit për buxhetin e 2023-shit, që sipas tij, është vjedhur para se të votohet. Kjo akuzë e Berishës vjen pas konstatimeve të KLSH-së për shkelje nga qeveria.
“Ju jeni dëshmitarë se si në 7 vite sipas KLSH-së janë vjedhur nga Edi Rama dhe ministrat e tij 8.2 miliardë euro dhe u garantoj se ky buxhet është një fatkeqësi e re tjetër se prapa çdo zëri të madh qëndon një vjedhje e madhe.
Këta nuk kanë të ndalur por vjedhja me buxhetin është një vjedhje e dyfishtë, është jashtëzakonisht e keqe prifide se në një anë vidhen fonde dhe shpërdorohen dhe përfundojnë në kontot e zyrtarëve dhe qytetarët nga taksat e tyre shohin në vitin e 9 pas nëntë buxheteve shohin punë publike absolutisht më të pakta sesa të një viti buxhetor”, tha Berisha.
Ky i fundit foli me shifra për borxhin e lartë të Shqipërisë dhe barrën që do të vijojë ndër breza.
“Edi Rama po shkatërron si një fuqi e të keqes të ardhmen e këtij kombi së pari me largimin masiv nga Shqipëria e të rinjve shqiptarë së dyti me borxhin e tmerrshëm që u vendos qytetarëve shqiptarë. Pas 20 vitesh një fëmijë që lind në Shqipëri do të jetë borxhli me 21 mijë euro”, shtoi ai.
Sipas Berishës, nëse buxheti i vitit të ardhshëm rrit borxhin, shënon një hap të rëndësishëm në falimentimin e plotë ekonomik.