Armando Broja nuk luan prej muajsh për shkak të ligamentit që këputi fundvitin e shkuar, megjithatë kjo nuk i ka penguar aspak klubet europiane që të vihen pas shërbimeve të tij. Milani po e kërkon me ngul që ta ketë në huazim për një sezon, por kuqezinjtë nuk janë të vetmit.
Mediat italiane raportojnë se së fundmi ka hyrë në garë për sulmuesin shqiptar edhe Roma. Verdhekuqtë kërkojnë të përforcojnë sulmin dhe pasi arritën akord me Paredes e Renato Sançez, kërkojnë një tjetër përforcim, këtë herë në repartin e sulmit aty ku është Beloti.
Kryeqytetasit e Italisë synojnë që të marrin Brojën në huazim të thjeshtë dhe për Këtë kanë kërkuar informacion nga klubi londinez. Por, diçka e tillë nuk është një nga prioritetet e Çelsit, të cilët nuk janë të interesuar ta japin në huazim. Vetë Poçetino kërkon ta shohë më nga afër dhe në kushte të tilla, e ardhmja mbetet e paqartë.